Maqedonia e Veriut do të importojë grurë nga Bullgaria

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Lupço Nikolovski ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje me homologun e tij bullgar Ivan Ivanov, që sasi të tjera të grurit do të sigurohen nga vendi i tij.

Në një postim në Facebook, Nikolovski ka shkruar se të dyja vendet po ndërtonin marrëdhënie të mira fqinjësore dhe së bashku do ta kalonin më lehtë krizën e vazhdueshme.

Dy ministrat ndodhen në Berlin për takimin ministror në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Dialogut për Politikat Bujqësore Gjermani-Ballkani Perëndimor.

Takimi ministror mbahet nën kryesimin e përbashkët të Ministrisë Federale të Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë dhe Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore (SWG RRD), në të cilin Ministria e Bujqësisë e Bullgarisë ka një status vëzhguesi.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e disa shteteve anëtare të BE-së, nën udhëheqjen gjermane, për t’u angazhuar me gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të rajonit. Ai përbëhet nga samite vjetore dhe një seri takimesh ministrore.