Nazmi Vërbovci është dëshmitari i shtatë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili sot para trupit gjykues në Hagë ka folur për takimet me të akuzuarin që sipas tij kanë ndodhur në pranverën e vitit 1999. Dëshmitari ka thënë se Mustafën e ka takuar në fshatin Barilevë në ditët e para të muajit prill dhe sipas tij takimi i dytë ka ndodhur më 20 apo 21 prill të atij viti.
Vërbovci ka thënë se në të dy rastet Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë e tij në lagjen Verbovc të Barilevës.
Nazmi Vërbovci derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Betim Shala, ka thënë se Salih Mustafa kishte pushuar dhe ishte ushqyer në shtëpinë e tij për disa orë dhe pastaj, sipas tij, kishte vazhduar në drejtim të Vrandollit.
Avokati Shala: Gjatë muajit mars dhe muajit prill të vitit 1999 a e keni parë ndonjëherë Salih Mustafën?
Dëshmitari Vërbovci: Po.
Avokati Shala: A mund të na tregoni ku e keni parë?
Dëshmitari Vërbovci: Unë e kam parë në shtëpinë time.
Avokati Shala: A ju kujtohet koha?
Dëshmitari Vërbovci: Më kujtohet. E kam parë në fillim të prillit, a ka qenë 1 dhe 2 prill, dhe së fundi 20-21 prill, dhe më nuk e kam parë kurrë, vetëm pas luftës, në çlirim.
Vërbovci ka thënë se herën e parë që Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë tij kishte pushuar pak kohë dhe kishte vazhduar tutje, për çka dëshmitari ka thënë se nuk ka informacione më shumë.
Sipas tij, Mustafa kishte shkuar i shoqëruar nga dy persona të tjerë, me të cilët edhe ishte larguar pastaj.
Dëshmitari ka thënë se ata kishin shkuar në këmbë aty dhe Mustafa mbante uniformën e UÇK-së.
Avokati Shala: Herën e dytë sa kohë ka qëndruar në Barilevë?
Dëshmitari Vërbovci: Kur është kthyer hera e dytë ka qenë, me të njëjtit njerëz është kthyer dhe ka pushuar. Kanë qenë të lodhur, kanë udhëtuar shumë në këmbë nëpër malet e zonës së Llapit, ka pushuar, ka pushuar 5-6 orë më së shumti, se nuk ka qëndruar më shumë, ndonjëherë është ushqyer dhe ka vazhduar në përcjellje të ushtarëve tonë, çdo herë në mbrëmje, raporton KP.
Avokati Shala: Ku ka shkruar herën e dytë?
Dëshmitari Vërbovci: Prej meje e di që ka dalë në Vranidoll. E di që prej shtëpisë sime ka dalë në Vranidoll, më tutje nuk di.
Ai ka thënë se ka qëndruar në fshatin e tij, Barilevë, gjatë gjithë periudhës së luftës dhe ka shtuar që së bashku me dhjetëra persona të tjerë ishin angazhuar në formimin e njësisë ushtarake që sipas tij, kishte për qëllim ruajtjen e popullit civil nga grupet paramilitare serbe.
Ai ka thënë se shtëpia e familjes së tij ishte në shërbim të popullit dhe UÇK-së ku sipas tij kanë qëndruar dhe kaluar shumë persona.
Vërbovci: Njësia Barileva ka qenë në shtëpinë time në lagjen Vërbovc
“Në lagjen e Llumnicëve ka qenë njësiti në shtëpinë e Jusuf Llumnicës, të djemtë e Jusuf Llumnicës, Kemajl Lluminca ka qenë edhe ushtarë edhe i ka pasur në shtëpi. Kurse në lagjen e Vërbovcve, në shtëpinë e Shaban Vërbovcit, baba im, që e falënderoj shumë. Kam pasur përkrahjen e tij dhe të axhës dhe gjithë familjarëve, djemtë e xhaxhallarëve që kanë qenë vullnetarë të gjithë, pro në mungesë të armatimit nuk kanë mundur të gjithë me shku, nga një armë e kishim, se ne armë nuk kemi marrë nga askush, përveç armëve tona personale që i kemi pasur”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se i vetmi kalim në zonën e Llapit ishte lagja Vërbovc ku sipas tij vazhdohej pastaj për në Vranidoll dhe Rumanishtë.
Ai ka bërë të ditur se për njësinë “Barileva” përgjegjës ishte Jusuf Shalaku i cili ishte nga fshati Shkabaj. Për këtë të fundit, dëshmitari ka thënë se posedonte një veturë të llojit Golf 2.
Avokati i ka treguar dëshmitarit një fotografi, për të cilën ky i fundit ka thënë se është shtëpia e tij.
Vërbovci: Shtëpia ime ka qenë e popullit
“Ky rreth i kuq prezanton, jam deklaruar dhe deklarohem prapë, Salih Mustafa kur ka kaluar ka ardhur i lodhur ka ardhur natën, kohë e pas kohe, ka pushuar, sa ka pushuar dy-tre orë apo një orë, unë e kam dërguar këtu në këtë dhomë. Ka qenë dhomë e popullit. Kjo shtëpi ka qenë e popullit. Ka qenë situatë kur babai im dhe unë ia kemi çelë derën çdo kujt, dihet popullit”, ka thënë ai.
Tutje, dëshmitari është pyetur edhe rreth njësisë BIA, ekzistencën e së cilës ka thënë se e ka mësuar pas përfundimit të luftës.
Vërbovci: Në UÇK nuk ka pasur ndarje
“Këtu nuk ka pasur ndarje qysh mendon dikush, ne kemi qenë një, a ka qenë i asaj brigade ai as asaj nuk ka çu peshë, ne një emër e kemi pasur, UÇK”, ka thënë ai.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.