Trajkoviq: Vuçiq e Kurti i kthyen serbët në periudhën “para-Millosheviqiane”

Ish-deputetja serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po i trajtojnë serbët e Kosovës si pengje të interesave të tyre.

Në një prononcim për Klan Kosova, ajo akuzoi shefin e ekzekutivit kosovar se me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, po ua mohon të drejtat e bashkëkombësve të saj në Kosovë.

“Albin Kurti që nga ardhja në pushtet ka punuar në projektin e heqjes së të drejtave të serbëve. Tani, përkundër dy fushatave të dhunës etnike që kemi pësuar gjatë dëbimeve në vitin 1999 dhe më 17 mars 2004, po bëhet dëbimi administrativ i qytetarëve serbë nga Kosova, duke na e hequr të drejtën e votës nën organizimin e OSBE-së – ashtu si kemi votuar për 20 vjet. Në këtë mënyrë nxitet destabilizim dhe kundërshtim karshi Kosovës dhe mosdurim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, tha Trajkoviq.

Duke iu referuar kushtit të qeverisë së Kosovës, që Serbia të kërkojë direkt lejimin e zgjedhjeve, ajo tha se vetëm kur të nënshkruhet marrëveshja ligjërisht obligative, qeveria serbe duhet të përfshijë një marrëveshje për zgjedhjet në territorin e Kosovës pa faktorë ndërkombëtarë dhe asistencë në monitorimin e zgjedhjeve.

Kritika të ashpra ajo nuk kurseu as ndaj shefit të shtetit serb, Vuçiq, duke thënë se si ai ashtu edhe Kurti, duke i mbrojtur interesat personale politike dhe elektorale, po i dëmtojnë serbët e Kosovës dhe po rrisin intolerancën.

“Kjo, duke e kthyer statusin e serbëve në epokën e para-Millosheviqit, e që unë do ta quaja “Putinizim i Ballkanit”, përfundoi Trajkoviq.