Kurti në vizitë zyrtare në Norvegji

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mori pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se arsye e mungesës së tij është se ka udhëtuar drejt Norvegjisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Norvegji”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë qëndrimit atje, Kurti do të takohet me homologun e tij, Jonas Gahr Støre dhe me zyrtarë tjerë të lartë të qeverisë norvegjeze.

Ndryshe, për shkak të mungesës së kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shtyrë debati parlamentar për politikën e jashtme në Kuvend.