KEDS: Zjarret po djegin edhe asetet elektroenergjetike

Gjatë vikendit të fundit në Kosovë janë shënuar një numër i madh i rasteve të zjarrit në pjesë të ndryshme të vendit.

Ndaj këtyre veprimeve kanë reaguar edhe nga KEDS-i, të cilët kanë deklaruar se zjarret po djegin edhe asetet elektroenergjetike.

“Zjarret gjatë vikendit kanë shkaktuar djegien e aseteve elektroenergjetike në disa raste në komuna të ndryshme të Kosovës. Kjo situatë është e papranueshme, pasi përveç dëmtimit të aseteve, po ndikon direkt në ndërprerjen e energjisë elektrike për mijëra konsumatorë”, thuhet në njoftimin e KEDS, transmeton lajmi.net.

Reagimi i plotë nga KEDS:

Gjatë vikendit në Kosovë ka pasur një numër të konsiderueshëm të zjarreve anekënd vendit. Ato zjarre kanë shkaktuar edhe djegien e aseteve elektroenergjetike në disa raste në komuna të ndryshme të Kosovës. Kjo situatë është e papranueshme, pasi përveç dëmtimit të aseteve, po ndikon direkt në ndërprerjen e energjisë elektrike për mijëra konsumatorë. Ekipet tona kanë qenë vazhdimisht në vatrat e zjarreve ku janë afektuar asetet e KEDS-it dhe kanë bërë maksimumin që dëmet të jenë sa më të vogla. Apelojmë te të gjithë që të kenë kujdes në rastet e zjarreve, sidomos atyre të qëllimshme, pasi po shkaktohen dëme të konsiderueshme materiale, riparimi i tyre po merr kohë, ndërsa edhe konsumatorët po mbesin kohë të gjatë pa energji elektrike.