Ish-kryeministri dhe njëherësh ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot në seancën e Kuvendit se “nuk është koha të flitet se kush është veteran i vërtetë i luftës e kush jo”.
Deklarata e tij erdhi pasi kryeministri Albin Kurti paralajmëroi ri-verifikim të listave të veteranëve.
“Nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë, me e fillu edhe njëherë me i fillu diskutimet se kush është veteran i vërtetë, apo jo; kush është luftëtar i vërtetë apo jo. Nuk është koha e tillë. Ka pasur edhe një proces gjyqësor. Tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, u shpreh Haradinaj.
Mes tjerash, ai tha se muaji mars i rikthen gjithmonë kujtimet e kohës së luftës, por edhe të krijimit të UÇK-së.
Sipas tij, veteranët duhet të përfshihen në ligjin për Paga që të mos ofendohen.
“E dimë që ligji i Pagave është në proces por mos të harrojmë që të fillojmë nga kategoritë më meritore, ato të lirisë. Të paktën të përfshihen në këtë rritje e të mos i ofendojmë këta njerëz”, tha Haradinaj.