Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka shpalosur sot programin për mandatin e ri dhe vizionin e tij për katër vitet e ardhshme nën moton “Bashkë për Futbollin”. Një program ky i përgatitur pas një pune intensive nga ekipi profesional i FFK-së në bazë të vizionit dhe kërkesave të presidentit Ademi dhe në koordinim të plotë me UEFA-n dhe FIFA-n. Të arriturat e deritashme dhe objektivat për mandatin e ri, Ademi i shpalosi para një audience të komunitetit të futbollit, ku ishin të pranishëm pjesëtarë të gjeneratës së artë, gjeneratës së sakrificës, futbollistët dhe stafi i Kombëtares si dhe shumë figura tjera të njohura, të cilëve edhe ju shpërnda materiali i detajuar i programit në formë të shtypur. Gjatë fjalimit të tij, presidenti Ademi fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për praninë e tyre në këtë ditë të rëndësishme për komunitetin e futbollit në Kosovë, teksa më pas foli për të arriturat e deritashme. Ai veçoi qeverisjen e mirë në FFK, raportet e shkëlqyeshme me UEFA e FIFA dhe federatat homologe, rritjen e buxhetit të institucionit si dhe realizimin e projekteve madhore. Ademi theksoi se falë menaxhimit të mirë, FFK tashmë është bërë me pronë të veten, ku ka selinë e saj moderne, Kampin Nacional në Hajvali dhe pronat në Lidhjet Rajonale të Futbollit. Si pikën më të rëndësishme ai e përmendi masovizimin e futbollit, ku nga nga 8.411 lojtarë në vitin 2018, tani janë 12.668 lojtarë të regjistruar, që i bie një rritje prej 67 përqind. Ai përmendi aktivitetet e shumta në programin Grassroots, duke përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta dhe komunitetet nga të gjitha etnitë si dhe projektin “Elite Youth U15” ku ishin të përfshirë mbi 2000 futbollistë. Një segment i suksesshëm ishte edhe edukimi i kuadrove, ku gjatë katër viteve u licencuan mbi 500 trajnerë, si dhe rreth 500 gjyqtarë. Ademi vlerësoi edhe paraqitjet e ekipeve Kombëtare, të cilat i cilësoi si mburrje dhe krenari për tërë vendin, teksa foli edhe për prirotetin që ka pasur zhvillimi i futbollit të femrave. Duke folur për klubet ai vuri në pah mbështetjen që iu ka dhënë atyre nëpërmjet ndihmës financiare, projekteve të katapultave GPS, por edhe reformat e suksesshme në liga, si dhe funksionalizimin e Ligës së Tretë dhe Ligës së Veteranëve. Tutje ai ka prekur të arriturat në infrastrukturë, me theks të veçantë projektin e Kampit Nacional në Hajvali, ku tashmë janë funksionale tri fusha, një me bari natyral dhe dy me bari sintetik, si dhe ambientet për akomodim me 23 dhoma, si dhe modernizimin e selisë së FFK-së dhe ndërtimin e fushave stërvitore për klubet. Si një projekt tejet të suksseshëm dhe të nevojshëm e ka vlerësuar sistemin VAR, të cilin FFK ka arritur ta implementojë në kohë rekord prej 6 muajsh, derisa procesin e digjitalizimit e ka cilësuar si nevojë të kohës. Ndërkaq, duke folur për programin e ri katërvjeçar, Ademi si objektiva ka vendosur masovizimin e mëtejshëm të futbollit dhe arritjen e 20 mijë lojtarëve të regjistruar, derisa si projekte ka veçuar Futbollin në shkolla, futbollin spontan, futbollin e vogël 5×5, shtimin e aktiviteteve Grassroots, projektin TipsElite, formimin e Ligave U13 e U15 për vajza në regjone dhe funksionalizimin e Ligës U21. Te segmenti i edukimit, presidenti Ademi, ka thënë se do të vazhdohet me punë profesionale me dhënien e Licencës A, me synim që brenda mandatit katërvjeçar të arrihet edhe Licenca Pro. Tek projektet investive ai ka përmendur rritjen e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe ndërrimin e tapetit të tij me bari hibrid, pastaj kompletimin e Kampit Nacional në Hajvali me ndërtimin e triunës lindore dhe asaj perëndimore të stadiumit qendror, si dhe ndërtimin e fushës në formë balloni për zhvillim të aktivitetit gjatë dimrit. Po ashtu, do të kompletohet ndërtimi i 7 fushave për 7 regjionet dhe zyret e LRF-ve, pastaj Kampi i karantimit në Batllavë, Qendra Nacionale për të rinj në Obiliq, vendosja e reflektorëve në stadiumet e mëdha, ndërtimi i minifushave dhe zhvillimi i mëtejshëm i digjitalizimit. Ndërkaq, si projekte të veçanta, Ademi ka përmendur Akademinë e Futbollit, ku do të përfshihen 500 fëmijë, Qendrën rehabilituese si dhe sigurimin shëndetësor për futbollistët. I pari i FFK-së foli edhe për objektivat e Kombëtares, ku tha se synimi kryesor është kualifikimi në eventet e mëdha. Ai në fund ka falënderuar komunitetin e futbollit në tërësi, tifozët Dardanët në veçanti për kreativitetin dhe mbështetjen korrekte në stadium, si dhe të gjithë parnerët e FFK-së, duke premtuar se së bashku do të vazhdojnë rrugëtimin e progresit të futbollit të Kosovës. Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe trajneri ynë legjendar, Ajet Shosholli, i cili vlerësoi të arriturat e FFK-së gjatë katër vjetëve të kaluara, si dhe u shpreh i kënaqur me atë çfarë ka paraqitur si vizion presidenti Ademi për katër vitet e ardhshme.