Gjykata njeh Berishën, reagon Alibeaj: Autorizova një kallëzim penal ndaj gjyqtarit

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkeljd Alibeaj e quajti skandaloz vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës për pranimin e kërkesës së Grupit të Rithemelimit të ish-kryeministrit, Sali Berisha për ndryshime të statutit të PD-së.

Në një komunikim me gazetarët, Alibeaj ka thënë se gjyqtari që ka marrë vendimin ka konflikt interesi në këtë çështje dhe ka marrë një vendim pa pasur prova.

“Është një vendim në nivelet e skandalit. Gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta në këtë proces gjyqësor. Në tejkalim të ligjit, gjyqtari ka marrë në shqyrtim çështjen. Ne kemi bërë një ankim për regjistrimin e Kuvendit të datës 18 dhjetor dhe çështja është në apel. Gjyqtari i sotëm nuk ka pasur një dosje. Gjyqtari ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje, pa pasur palë”, tha Alibeaj.

Alibeaj theksoi se ka autorizuar një kallëzim penal ndaj gjyqtarit për shpërdorim detyre.

“Vendimi i sotëm i pazbatueshëm. PD-ja do ta ankimojë në Apel. Kam autorizuar kallëzim penal për gjyqtarin Zhukri, pasi ka shpërdoruar detyrën”.