Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit, por se mes dy vendeve nuk është arritur asnjë marrëveshje paraprake e cila paraqet kushtin për mbajtjen e tyre.
Në një konferencë për media, ai është shprehur se kanë pritur një kërkesë nga ana e Serbisë, por se një gjë e tillë s’ka ndodhur.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur që ai nuk ka pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letër shkëmbimi ndërmjet zyrtarëve.
“Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin që nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letërshkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë përmes shkëmbimit të letrave mes Kosovës dhe Serbisë. Do duhej që të merreshim vesh. Kështu siç është, çështja ka marrë kahje tjetër. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë, por më shumë se kaq s’kam çka të them”, ka deklaruar shefi i qeverisë.