Shqiptarja zgjidhet “Mrs Michigan America 2022”, rrëfen vështirësitë: Kam punuar pastruese

Marinela Shpati është shqiptarja që fitoi “Mrs Michigan America 2022”.

Së fundi ajo ka rrëfyer jetën e saj dhe gjithë vështirësitë në Lezhë, emigrimi në Greqi deri tek jeta aktuale në Amerikë.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, bukuroshja shqiptare ka zbuluar emocionet e fitores së çmimit të parë, madje edhe mbështetjen e pakushtëzuar të bashkëshortit.

“Kam lindur në Lezhë dhe jam rritur në një fshat, në Troshan. Kam emigruar në Greqi. Kam jetuar 10 vjet në Shqipëri, 10 në Greqi dhe 10 në Amerikë, e quaj vitin e 10-ve këtë. E kam burrin e mirë, është nga Shkodra, kam 3 vjet e martuar. Atëherë nuk e kisha imagjinuar asnjëherë se ishim të varfër dhe kur erdhi kjo ditë ishte e pabesueshme. Të gjithë femrat që konkurrojnë kanë një platformë dhe unë kam një për të ndihmuar njerëzit e varfër. Në mënyrë që ata kur të më shohin të thonë si ka mundësi që kjo ka arritur deri këtu se para 20 vitesh ishte e varfër.”, u shpreh ajo.

Gjithashtu ajo ka treguar edhe për eksperiencën e saj që do ta zhvilloj në muajin gusht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë do të shkoj të konkurroj me 50 shtete të Amerikës në gusht dhe zhvillohet në Las Vegas. Jam shumë e lumtur, dua t’i bëjë të gjithë të lumtur. Unë nuk i kam parë konkurrentet e tjera, dua të fokusohem vetëm te vetja ime. Dua ta shoh si një eksperiencë të bukur.”, tha ndër të tjera modelja shqiptare.

Përtej kësaj ajo ka rrëfyer edhe jetën që ka bërë në Greqi.

Në Greqi jeta ka qenë më e mirë se në Shqipëri, kam filluar punë që 14 vjeçe dhe paralelisht shkoja në shkolla. Punoja në një restorant, bëja gjithçka nga shitëse në pastruese, çdo gjë. Në moshën 20-vjeçare kam shkuar në Amerikë, kam ardhur me vetëm me një çantë me rroba. Kam punuar fort deri në 4 punë, derisa kam arritur deri këtu ku jam që punoj në bankë”, përfundoi ajo.