Salih Mustafa mbetet në paraburgim

Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kryesuar nga Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia, ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Sipas trupit gjykues, vazhdon rreziku që i akuzuari do të pengojë përparimin e procedurës së Dhomave të Specializuara, duke ndërhyrë te viktimat dhe dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre, raporton Betimi për Drejtësi.

Ky trup gjykues ka konstatuar se ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se rreziku i pengimit të progresit të procedurave të Dhomave të Specializuara.

Rrjedhimisht, trupi gjykues ka konstatuar se për të akuzuarin Mustafa nuk ekziston rreziku i arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekziston, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen atij.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.