Dënohen me 18 vite burgim vëllezërit e akuzuar për vrasjen e djalit të dajës në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas ricilësimit të veprës penale, i ka dënuar me 18 vite burgim të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica, për akuzën se kishin privuar nga jeta djalin e tyre të dajës, F.K.

Aktgjykimi u shpall në seancën e së martës, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, për të akuzuarin Bali Reçica, gjykata bën ricilësimin e veprës penale, andaj të njëjtin e dënon me 15 vite burgim për veprën penale “Vrasje”.

Në dënimin e shqiptuar, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në burg, nga 7 shtator 2019 deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi dhe të njëjtit i vazhdohet paraburgimi.

Ndërsa, i njëjti për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, lirohet nga akuza.

Për të akuzuarin Baki Reçica, gjykata bën ricilësimin e veprës penale dhe të njëjtin e shpall fajtor për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” dhe të njëjtin e dënon me 3 vite burgim.

Në dënimin e shqiptuar, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 7 shtator 2019. Të akuzuarit Baki i ndërpritet masa e paraburigmit menjëherë.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Të pandehurit obligohen t’i paguajnë shpenzimet e procedurës në shumën prej 400 euro si dhe për fondin e viktimave të krimit 50 euro.

Po ashtu, konfiskohet thika me të cilën është kryer vepra penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllokun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica e ngarkonte edhe për armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.