Ambasadori britanik, Nicholas Abbot është deklaruar pas përfundimit të monitorimit të sistemit të drejtësisë nga ambasada britanike, ku ka deklaruar se kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë.
“Ne synojmë që të jemi sa më afër institucioneve që ne i përkrahim dhe njëjtë ka ndodhur edhe me këtë projekt. Zbatuesi i këtij projekti ka punuar për monitorimin, identifikimin dhe ekspozimin e keqpërdorimeve si në sistemet gjyqësore dhe prokuroriale, me qëllim të rritjes së presionit për reforma. Kjo është bërë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me institucionet që janë monitoruar dhe njëherit ka qenë një nga vlerat thelbësore të projektit”, ka thënë Abbott në një video-mesazh.
Ambasadori Abbot deklaroi poashtu se gjithë puna që është bërë në këtë nivel dhe në këtë frymë është dëshmuar të jetë më efektive dhe më e qëndrueshme.
Sipas tij një nga veçoritë e projektit është investimi në profesionistët e rinj.
“Projekti ka arritur të përgatisë një kuadër të avokatëve të rinj të cilët kanë qenë çdo ditë në gjykata dhe prokurori për të monitoruar çështje, si dhe kanë marrë trajnime të specializuara të asistuara për monitorimin, shkrimin dhe arsyetimin ligjor, kërkimin ligjor dhe analizimin e çështjeve komplekse. Ne besojmë se po japim një kontribut pozitiv në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.