Alarmon IKSHPK: Variantet e Omicronit po vazhdojnë të përhapen, ka rritje të rasteve në Evropë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për respektim të masave kundër COVID-19, teksa ka alarmuar se dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja fatale.

Sipas institutit, situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re”.

Instituti po ashtu ka apeluar te qytetarët e moshës mbi 18-vjeç që të vaksinohen me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë kundër Coronavirusit.
“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen”.