Në Ditën Botërore të Sindromës Down, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Shoqata Down Syndrome Kosova vendosi tri tezga që përmbanin produktet e punuara nga anëtarët e sindromit down.
Produkte këto të cilët tërhoqën vëmendjen e qytetarëve që kalonin andej pari.
Me interesimin e fëmijëve të cilët shkuan për të blerë kartolinat e punuara nga fëmijët me sindrom down, u shpreh i lumtur Dionis Ferataj nga Down Sindrome Kosova.
“Më vjen shumë mirë që për 21 mars, ditës së Down Sindrome për të gjithë ata që kanë ardhur për të blerë kartolina për fëmijë me autizëm…Ftojë qytetarët tanë që të vijnë e të kontribuojnë për shoqatën, dhe i urojë 21 marsin”, tha Ferataj.
Në mënyrë të organizuar, shkuan për të blerë edhe nxënësit e shkollave fillore të ulëta.
Valdrina Nekoviqi, mësuese nga shkolla fillore e mesme e ulët “Qamil Batalli”, tregoi se ora e parë e mësimit i është kushtuar fëmijëve me Sindromën Down.
“Në klasë fillimisht e kemi mbajt një ligjëratë vetëdijësusese sa i përket kësaj dite që i kushtohet fëmijëve me Sindromën Down, më pas kemi ardhur për t’i vizituar në pikat ku shënojnë aktivitetet këta fëmijë, dhe shoqatës Sindromës Down. Ne kemi ardhur këtu për t’i përkrahur ata, për t’i mbështetur në çdo pikë sepse duhet të përfshihen dhe të ketë gjithë përfshirje edhe për këta fëmijë”, tha Nekoviqi.
Nxënësja Rubikë Hasani, foli për dashurinë dhe respektin që duhet t’iu jepet fëmijëve më këtë sindromë.
“Sot është dita e fëmijëve me Down Sindrom dhe ne jemi të vetëdijshëm që atyre duhet t’iu japim dashuri, respekt dhe shumë të tjera”, tha nxënësja Hasani.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me ç’rast tha se është duke punuar në disa projekte në ndihmë për komunitetin.
“Me moton ‘Ec me ne’, ne jemi së bashku dhe do të ecim së bashku me juve. Si rezultat i kësaj i kemi edhe disa projekte të cilat tash janë në përfundim e sipërm, P.SH shtëpitë, ndërtesa për Down Syndrome ku përveç kësaj do të kemi një bashkëpunim të plotë me të gjitha organizatat joqeveritare që t’i ndihmojmë këtij komuniteti që të jetë dhe të ndihet si pjesë e të gjithë komunitetit[…]Ne jemi me ju, ne do të ecim me ju dhe do të bëjmë çfarë do që është e mundur, po ashtu në aspektin e arsimit tash kemi edhe 15 asistentë shtesë që të ndihmojnë personat me Down Syndrome. Pra kemi një mori projektesh, me të cilat Komuna e Prishtinës merret që ti ndihmojë komunitetit”, tha Rama.
Sot për Ditën Botërore të Sindromës Down do të marshohet nga Kuvendi i Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”. Pjesë e marshit do të jetë edhe presidentja, Vjosa Osmani.
Motoja “ Ec Me Këpucët e Mia” bart mesazhin mbi sfidat nëpër të cilat kalon një person me sindromë Down.
21 marsi shënon Ditën Botërore të Sindromës Down. Në këtë ditë personat me këtë sindromë, të afërmit e tyre, organizatat që punojnë për këtë çështje, organizojnë dhe marrin pjesë në aktivitete që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për sindromën Down.
Sindroma Doën ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të pjesshme ose të plotë të kromozomit 21.
Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 21 Marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.
Incidenca e vlerësuar e sindromës Down është midis 1 në 1000 deri në 1 në 1100 lindje të gjalla në mbarë botën. Çdo vit, rreth 3,000 deri në 5,000 fëmijë lindin me këtë çrregullim kromozomik.