Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka ftuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, në debat parlamentar lidhur me politikën e jashtme.
Para mediave, Tahiri tha se kryeministri dhe kryediplomatja duhet të jenë pjesë e këtij debati.
“Grupi jonë parlamentar edhe ditëve të fundit ka nxjerr një mori vërejtjesh sa i përket mosangazhimit të Qeverisë në politikën e jashtme. Dështimit, degradimit dhe besoj që është mirë që edhe Kurti e Gërvalla të vinë dhe të ballafaqohen me argumentet e deputetëve të opozitës”, tha ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sipas deputetit të PDK-së, Qeveria duhet të reflektojë mbi qeverisjen e jashtme, pasi siç tha ai, nuk ka pasur ndonjë angazhim.
“PDK-ja po ashtu do të prezantojë kërkesën për themelimin e një Komisioni hetimor sa i përket çështjes së ngritjes së energjisë elektrike. Ky proces besoj se është shoqëruar me shumë parregullsi”, tha tutje shefi i deputetëve të PDK-së.