Këtë të premte, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që ta dënojë me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen në objektin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në shtator të vitit 2018.
Në lidhje me këtë, Skënder Musa, i cili është avokat i familjes së viktimës, ka thënë se vendimi i gjykatës dhe procesi gjyqësor ka qenë një proces i drejt.
Ai tha se familjarët e të ndjerit janë të kënaqur me vendimin e gjykatës, teksa shtoi se ai beson se është vendosur drejtësia në këtë rast, ndonëse, sipas tij, ka pasur elemente që kanë mundur të çojnë në dënim me burgim të përjetshëm.
“Gjykata e ka konstatuar se vrasja ka qenë me dashje të drejtpërdrejt. Si rrethanë tjetër ka qenë se Isa Sejdiu është vrarë në vendin e punës, është vrarë nga një punëtor i sigurimit të AKI-së që ka qenë i obliguar ta bëjë sigurimin e zyrtarëve të AKI-së e jo t’i vrasë. Pastaj, mosbashkëpunimi i tij me institucionet e drejtësisë, të gjitha këto kanë qenë rrethana rënduese që kanë cuar deri të dënimi me burg deri në 25 vjet”, ka thënë Musa në Klan Kosova.
Tutje, avokati i familjes së të ndjerit paralajmëroi padi ndaj AKI-së, pension të përhershëm për familjen dhe kërkesë ndaj të akuzuarit për pasoja juridike, pasi siç tha ai, i ndjeri është vrarë në vendin e tij të punës.
“E kemi diskutuar shifrën, ku në departamentin e Krimeve të Rënda kemi kërkuar nga i akuzuari dëmshpërblim prej në vlerë prej 550 mijë euro, ndërsa nga AKI kemi kërkuar 650 mijë euro dhe pension të përjetshëm”.
“Kjo do të jetë shuma në padi dhe në padi kemi dy subjekte, ku i pari është AKI-ja dhe i dyti do të jetë pala që e ka shkaktuar vrasjen”, ka thënë Musa.
Ndërsa, sa i përket asaj se a është përdorur arma zyrtare në rast, avokati Musa tha se ajo nuk ka qenë zyrtare, por ka qenë prodhim i Serbisë.
“Arma nuk ka qenë zyrtare, ka qenë prodhim i Serbisë, dhe sic dihet, FSK-ja dhe zyrtarët e AKI-së nuk pajisen me armë nga Serbia. Ka qenë armë personale e futur në objektet e AKI-së në mënyrë ilegale”, ka thënë ai.