Prokuroria kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve në rastin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve N.G., dhe S.I., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.G., – zyrtar doganor, prej vitit 2014, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.”, thuhet në njoftimin për media.

Poashtu u tha se edhe për të pandehurin S.I., ish zyrtar i komunës Shtërpcë, tani menaxher në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2010, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale Marrja e ryshfetit, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Rasti i njohur si “Brezovica” u realizua katër herë radhazi dhe nga ky rast u arrestuan dhjetëra persona.

Deri më tani shumë prej tyre vazhdojnë të jenë në arrest, derisa hetimet po vazhdojnë të kryhen nga organet kompetente.