Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë është shpërbërë në heshtje pas dështimit për të arritur kuorumin për të votuar për përjashtimin e dy institucioneve të zgjedhjeve, të Rusisë dhe Bjellorusisë.
Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi gjatë mbledhjes së sotme.
Kryesuesi i KQZ-së tha se meqenëse përjashtimi nga ky institucion bëhet me dy të tretat e votave, pasi nuk votuan të gjithë anëtarët edhe vetë ACEEEO u shpërbë.
“Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë është shpërbërë në heshtje për shkak të dështimit për të arritur kuorumin për të votuar për përjashtimin e dy institucioneve të zgjedhjeve, të Rusisë dhe Bjellorusisë. Përjashtimi nga ACEEEO, sipas statutit, bëhet me 2/3 e votave, por kjo nuk është arritur gjatë procesit të votimit, pasi nuk kanë votuar të gjithë anëtarët institucional”, tha ai.
Ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte votuar për përjashtimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga ACEEEO, si dhe e kishin informuar Sekretariatin e ACEEEO se nëse kjo nuk ndodh, atëherë edhe KQZ-ja e Republikës së Kosovës do të tërhiqej nga anëtarësia në këtë asociacion.
KQZ ka votuar sot rekomandimin për dërgimin e Raporteve të Auditimit të Partive Politike për vitin 2018-2020 në ATK pas shkeljeve të evidentuara në këto raporte.
Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim u shpreh se kanë identifikuar shkelje që kanë të bëjë me mos pagesa të tatimit të pagave dhe qirave.
“Në opinionin e Komisionit të Venedikut të cilat kanë dalë nga Procesi i Konsultimit për Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike më saktësisht pika 32, rekomandon që autoritetet përkatës Zyra e Prokurorit të Shtetit, Agjencia Kundër Korrupsionit, Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Administrata Tatimore mund të shqyrtojnë raportet e auditimit “nëse ata kanë identifikuar shkelje të dispozitave ligjore që janë në mandatin e këtyre institucioneve. Vlen të theksohet që të gjeturat nga procesi i auditimit kemi shqyrtuar dhe jemi në drafti të hapave të parë nene jemi duke I shqyrtuar vetëm brenda procedurave që na takon me ligjin për Financim të Subjekteve Politike, por ne kemi hasur dhe identifikuar një numër të shkeljeve në fushën e tatimeve siç janë disa raste mos pagesa e tatimit në paga, mos pagesa e tatimit në qira etj. Andaj Zyra siç u tha më lart rekomandon dërgimin e Raporteve të Auditimit të Raporteve Financiare të Partive Politike 2018-2020 të përcillen në Administratën Tatimore të Kosovës, e cila në përputhje me mandatin e saj, gjithashtu mund të ekzaminojë këto raporte. Kjo ka të bëjë vetëm me një transparencë që lidhet me financimin e subjekteve politike ”, tha Selmani.
Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi në emër të Këshillit për Çështje Ligjore u shpreh se edhe ATK duhet t’i shqyrtojë raportet e auditimit edhe nëse nuk dërgohen nga KQZ-ja.
“Edhe sugjerimi i Këshillit për Çështje Ligjore është që këto raporte të dërgohen në Administratën Tatimore po flasim që të gjithë kemi votuar unanimisht, por një konkludim është se të gjitha këto që përmenden edhe në Ligjin për Financim të Subjekteve Politike edhe të menaxhimit të Financave Publike kundërlidhet me Ligjin e Auditimit e përcaktojnë saktë që këto raporte të Auditimit Prokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare mund t’i merr edhe në ATK e kanë për detyrë në vijimësi pavarësisht se a ua dërgojmë raportet e auditimit apo nuk ua dërgojmë ata duhet si çdo njësi që ka numër fiskal të kontrollohet”, tha ai.
Kryeshefi ekzekutiv i ZRPPC-së i cili sapo ka marr këtë pozitë, Nexhmedin Hyseni siguroi se kjo zyre do të punojë sipas mandatit ligjor.
“Ju siguroj që puna ima dhe puna e Zyrës sipas mandatit ligjor bashkë me këtë ekip të mrekullueshme që është përbrenda kësaj Zyre do të jetë kryefjala kryesore që zyra do të punojë me mandate ligjor, i barabartë dhe të barabartë me secilin”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot shqyrtoi edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për 2023-2025.