Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, njëherësh edhe ambasadore e Kosovës në SHBA, ka thënë se anëtarësimi i vendit në NATO është “ekzistencial”.
Çitaku këtë deklarim ka bërë në një cicërimë në llogarinë zyrtare në ‘Twitter’. Ajo ka shtuar se puna e parë që duhet të bëhet është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, program në kuadër të NATO-s.
“Kosova kërkon të anëtarësohet në #NATO, jo sepse duam të jemi anëtare e ndonjë klubi #VIP. Këtu nuk bëhet fjalë për prestigj. Anëtarësimi në të është ekzistencial”, ka shkruar Çitaku.
“Kosova duhet të jetë partner i besueshëm dhe Perëndimi duhet ta mbajë fjalën”, ka thënë më tej nënkryetarja e PDK-së.
Partneriteti për Paqe është program i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut që synon krijimin e besimit midis NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. Në këtë program, janë anëtare 20 shtete.