Objekti i Fakultetit të Bujqësisë, tash e 9 vite i papërfunduar

Ndonëse janë mbushur pesë vjet prej se ka nisur punimet në ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ato ende nuk kanë përfunduar dhe studentët vazhdojnë ta vijojnë mësimin në kushte shumë të pafavorshme. Por, drejtues të Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar se punimet do të përfundojnë sivjet, dhe sipas tyre, viti i ri akademik do të nisë në objektin e ri.

Studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë vazhdojnë të vijojnë mësimin në kushte jo të mira si shkak i mos përfundimit të objektit, ndërtimi i së cilit ka nisur në korrik të vitit 2013 dhe ende nuk është përfunduar. Studentët janë të pakënaqur për këtë vonesë. Kështu deklaroi për Radio Kosovën nënkryetari i Parlamentit Studentor, Festim Tasholli.

“Këtë çështje e kemi ngritur te rektorati dhe te anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit në lidhje me vonesat e shumta që kanë ndodhur kur është dashur para pese viteve të përfundojnë. Dhe studentët vazhdojnë të realizojnë mësimin në kushte jo të favorshme ku një pjesë e mësimit realizohet në një shkollë të mesme që është afër objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë”, tha Tasholli.

Ndërkohë rektori i Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, tha se aktualisht janë duke u kryer disa punë finale dhe se vitin e ri akademik studentët do ta fillojnë në objektin e ri.

“ Jemi në fazën e përmbylljes të punëve në Fakultetin e Bujqësisë. Presim që vitin e ri akademik studentët ta fillojnë procesin mësimor në objektin e ri të fakultetit”, tha Sahiti për Radio Kosova.

Edhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Bedri Dragusha, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se ketë vit pritet të përfundojnë punët në finalizimin e objektit të fakultetit.

“ Punët do të përfundojnë shumë shpejt. Janë edhe disa procedura pastaj për inventarizimin e objektit. Dhe shpresojmë që me 1 tetor 2022 vitin e ri akademik ta fillojmë në objektin e ri”, tha Dragusha.

Punimet për ndërtimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë kanë filluar në vitin 2013 dhe për disa vite me radhë është punuar pak ose nuk është punuar hiq. Dhe për vonesat në përfundimin e këtij objekti sipas drejtuesve të universitetit, fajtor ka qenë operatori ekonomik i cili nuk i është përmbajtur kontratës se nënshkruar.