Kurti pranon telefonatën e dytë brenda muajit nga Washingtoni në lidhje me zgjedhjet e Serbisë

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të dytën herë në më pak se një muaj.

Kjo bisedë në mes dyshes kishte të bënte me zgjedhjet e Serbisë, të cilat do të mbahen me 3 prill.

Chollet deklaroi se pati një bisedë të mirë me Kurtin, teksa përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote të mund të marrin pjesë në zgjedhje.

“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, shkroi zyrtari amerikan në Twitter..

 

Kurse më 18 shkurt, rreth një muaj më parë, kryeministri Albin Kurti pati pranuar edhe një telefonatë nga Chollet, ku u diskutua e njëjta çështje.

Përmes një publikimi në Twitter, zyrtari amerikan kishte deklaruar se me Kurtin kanë diskutuar për praktikat kur Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), është pajtuar me kërkesat e shteteve të tjera për votime me prani fizike.

E kur serbët patën kërkuar që të votojnë nga Kosova për ndryshimin kushtetues në Serbi, një gjë e tillë nuk është lejuar.

Atyre iu mundësua transporti për në qytetet serbe në mënyrë që të arrinin të votonin.