Zgjedhjet për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), po afrohen gjithmonë e më afër.
Në këtë muaj, shumë emra janë përmendur se do jenë kundërkandidat të Agim Ademit, për pozitën e presidentit të FFK-së.
E një prej tyre, që është përmendur ka qenë edhe djali i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi. Dje, ishte presidenti i Trepçës ‘89, Abedin Zeka që deklaroi se Vokrri është kundërkandidat i Ademit dhe që tashmë ka siguruar 18 nënshkrime nga delegatët.
Për këtë çështje, “Lajmi.net”, ka kontaktuar Gramoz Vokrrin, që tha se klubet duan ndryshime dhe që është duke biseduar me disa prej tyre, por që ende zyrtarisht nuk është në garë.
“Puna është se tashmë klubet duan një ndryshim dhe veçse jemi duke biseduar me disa prej tyre. Shkaku i dëshirës së klubeve, të bën të konsiderosh këtë mundësi. Por, për momentin nuk ka asgjë zyrtare dhe kur të jetë do dal publikisht”, deklaroi ai për “Lajmi.net”.
Kujtojmë, se zgjedhjet për të parin e FFK-së mbahen me 6 prill, ndërsa momentalisht kandidati i vetëm zyrtarisht është kryetari aktual, Agim Ademi.