Përfshihet edhe AKI-ja, IPK thotë se sot do të arrestohen dhjetra policë

Inspektorati Policor i Kosovës ka dërguar një tjetër komunikatë me anë të së cilës ka treguar se po vazhdon operacioni i tyre në Gjakovë e Prizren.

Operacioni i koduar si “Pika” po mbështetet edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencës, Dogana dhe Policia e Kosovës.

Aksioni i përbashkët i IPK-së dhe Prokurorisë Speciale thuhet në komunikatë se do të rezultojë me arrestimin e dhjetra zyrtarëve policorë.

Të njëjtit zyrtarë policorë dyshohen për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kjo është komunikata e plotë e IPK-së:

Vazhdon operacioni i IPK-së në Gjakovë dhe Prizren

Prishtinë, 14 mars 2022,

Ora – 09:45

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.

Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë.

IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasdites.