Mehaj flet me ministrin turk të Mbrojtjes, diskutohet për stabilitetin në Ballkan

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj, ka biseduar përmes telefonit me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.

Mehaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se ai me ministrin turk Akar, kanë biseduar rreth zhvillimëve gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë.

Po ashtu Mehaj ka treguar se, të dy ministrat janë pajtur për intensifikimin e angazhimit tone në të ardhmen në funskion të paqes, stabiliteti dhe sigurisë rajonale.

Lexoni postimin e plotë:

Mbështetja e Republikës së Turqisë është shumë e rëndësishme në përmbushjen e qëllimeve tona strategjike.

Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit tonë bilalerat, sot, realizova një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.

Me Ministrin Akar, biseduam për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu biseduam për stadin aktual të realizimit të projekteve të përbashkëta dhe shtyrjen përpara, në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Me Ministrin Akar, gjithashtu, u pajtuam për intensifikimin e angazhimit tonë në të ardhmen në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Duke njohur pozicionin e rëndësishëm të Turqisë në kuadër të Aleancës Veriatlantike, Ministrin Akar e falënderova shumë edhe për mbështetjen e deklaruar zyrtare në procesin e përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO.