Një shpërthim i madh ka ndodhur në afërsi të konviktit të studentëve në Zagreb të Kroacisë mbrëmjen e së enjtes, ku është konfirmuar se bëhet fjalë për një fluturake, meqë aty janë gjetur disa pjesë të saj dhe dy parashuta.
Ky objekt fluturues ende i paidentifikuar sipasnjë eksperti të aviacionit ushtarak mund të jetë një dron i cili përdoret nga Ukraina.
Sidoqoftë, media kroate, “Jutarnji List”, ka raportuar se Agjencitë Ushtarake kanë raportuar se nuk e kanë humbur asnjë avion.
Sipas kësaj medie që raporton duke iu referuar burimeve jo zyrtare, në një pjesë të fluturakes mund të shihej një yll i kuq dhe një alfabet cirilik rus.
Ky informacion nuk u konfirmua, por u përfol shumë gjatë hetimeve.
Ndërkaq në lidhje me rastin ka lëshuar njoftim edhe Policia e Zagrebit.
“I bëjmë thirrje mediave që të raportojnë me përgjegjësi publikun dhe të prezantojnë informacione të verifikuara të marra nga shërbimet kompetente, në mënyrë që të parandalohet përhapja e dezinformatave. Apelojmë qytetarët që të mos shpërndajnë video/foto nga vendi i ngjarjes përmes rrjeteve sociale. Nëse gjendeni në zonën e veprimit policor, ju lutemi ndiqni udhëzimet e punonjësve të policisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia kroate.