Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet.
“Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht.
Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë.
“Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjitike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël”, ka thënë ai.
Sot Shqipëria, sipas Ramës, është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!
Sipas tij, të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë.
Ai tha se kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi.
“POR të gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje. Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar, jo të ndarë”, ka thënë kryeministri Rama./IndeksOnline/