Aktori ukrainas, Pasha Lee vritet nga bombardimet ruse në qytetin Irpin të Ukrainës

Aktori ukrainas, Pasha Lee është vrarë të dielën (6 mars) në Irpin, nën granatimet nga forcat ruse që pushtuan qytetin në perëndim të Kievit, sipas raporteve lokale.

Shërbimi i lajmeve televizive TSN dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Odesa thanë se aktori (i cili gjithashtu përmendet si Pavlo Li dhe Pasha Li ) ishte 33 vjeç.

Lee thuhet se u bashkua me Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Forcave të Armatosura të Ukrainës javën e kaluar për të mbrojtur vendin e tij të lindjes gjatë pushtimit nga Rusia.

Foto: Pasha Lee/Instagram

Karriera e aktorit përfshijnë komedinë e vitit 2019, “Meeting of Classmates”, filmi aksion sportiv i vitit 2017 “The Fight Rules”, komedinë aksion “Selfie Party” të vitit 2016 dhe komedinë/dramë të vitit 2012 “Zvychayna Sprava”.

Ai gjithashtu ishte prezantues në kanalin DOM dhe bëri punë dublimi në filma të tillë si “The Lion King” dhe “The Hobbit”, sipas një postimi në Facebook nga Sergiy Tomilenko, President i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.

Foto: Pasha Lee/Instagr

Së fundmi, Lee u shfaq në dramën televizive “Provincial” të vitit 2021, shkruan Deadline.

Vetëm dy ditë më parë, aktori kishte ndarë një postim në llogarinë e tij në Instagram, ku shihej bashkë me një kolege të veshur me uniformë ushtrie.

“Për 48 orët e fundit kishim një mundësi për t’u ulur dhe për të bërë një foto se si po bombardojmë, dhe ne po buzëqeshim sepse do t’ia dalim dhe gjithçka do të jetë Ukrainë, ne po punojmë”, kishte shkruar Lee në mbishkrimin e postimit.

Foto: Pasha Lee/Instagram

Associated Press raporton se të dielën granatimet ruse vazhduan në periferi të Kievit, duke përfshirë Irpin, të cilit i ishte ndërprerë energjia elektrike, uji dhe ngrohja për tre ditë.

Të paktën katër civilë u vranë gjatë bombardimeve pranë urës në Irpin teksa u përpoqën të largoheshin nga luftimet, raportoi Neë York Times.