Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar sërish lidhur me vrasjen e 14 vjeçarit në një shkollë në Prishtinë.
Prokuroria ka theksuar se me aktvendim të prokurorit nga Departamenti për të Mitur, është ndaluar i dyshuari (i mitur), i moshës 15 vjeç, për shkak të dyshimit se ka privuar nga jeta tani të ndjerin (i mitur), i moshuarës 14 vjeç, me një mjet të mprehtë (thikë).
“I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndaj të njëjtit, prokurori i Departamentit për të Mitur, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale.”, thuhet në njoftimin për media.
Poashtu është thënë se me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.
Prokurori i çështjes do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale.