Vendet e BE-së do të dërgojnë ‘aeroplanë luftarakë’ në Ukrainë

Vendet e BE-së do të dërgojnë “aeroplanë luftarakë” në Ukrainë për ta ndihmuar atë të luftojë sulmet ajrore dhe tokësore ruse.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja,ka thënë shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.

“Ne do të ofrojmë edhe aeroplanë luftarakë. Nuk po flasim vetëm për municion. Ne po ofrojmë armë më të rëndësishme për të shkuar në luftë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i ka thënë BE-së “ata kanë nevojë për llojin e aeroplanëve luftarakë që ushtria ukrainase është në gjendje të operojë… disa shtete anëtare kanë këto lloj aeroplanësh”, tha Borrell.

Ndryshe, Ursula von der Leyen ka thënë se Komisioni Evropian po mbyll hapësirën ajrore të BE-së për aeroplanët rusë.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se BE do të ndalojë gjithashtu mediat shtetërore ruse RT dhe Sputnik.

“Russia Today dhe Sputnik në pronësi të shtetit, dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit”.

“Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”.