Presidenti ukrainas me ultimatumin e fundit për BE-në

“Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ne. Dhe Rusia ka treguar se çfarë është bërë”.

Kështu e ka nisur fjalimin e tij presidenti ukrainas Volodymr Zelensky në një konferencë për mediat mëngjesin e 28 shkurtit ku ka deklaruar se deri më tani janë vrarë 4 mijë e 500 ushtarë rusë.

“Hidhni pajisjet tuaja. Dilni nga këtu. Mos u besoni komandantëve tuaj. Mos u besoni propaganduesve tuaj’, ishte thirrja e Zelenksy-t për ushtarët rus.

Po ashtu ai vijoi se, “sipas ligjit ushtarak, pjesëmarrësit në armiqësi – ukrainas me përvojë të vërtetë luftarake – do të lirohen nga paraburgimi dhe do të jenë në gjendje të kompensojnë për fajin e tyre në pikat më të nxehta të luftës”.

Ndërsa bëri të ditur se 16 fëmijë janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur si rezultat i granatimeve ruse gjatë katër ditëve të fundit.

Nga ana tjetër ai ka kërkuar anëtarësim të menjëhershëm në Bashkimin Evropian sipas procedurës së re speciale.

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë që janë me ne. Por synimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt që është e drejtë”, shtoi Zelenksy.

Po ashtu ai ka falënderuar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për furnizimin me armë.

“Evropianët janë të vetëdijshëm se ushtarët tanë po luftojnë për vendin tonë, dhe rrjedhimisht për të gjithë Evropën”, vijoi ai.

Zelenksy e mbylli me një mesazh se “çëlesi është mbrojtja”.

“Kur kam kandiduar për president, kam thënë se secili prej nesh është president. Sepse të gjithë jemi përgjegjës për shtetin tonë. Për Ukrainën tonë të bukur. Dhe tani ka ndodhur që secili prej nesh të jetë një luftëtar. Luftëtari është në vendin e tij. Dhe kam besim se secili prej nesh do të fitojë. Lavdi Ukrainës!”, e përmbylli Zelenksy.