LDK në Obiliq: S’jemi njoftuar për aderimin e Xhafer Gashit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq e ka quajtur “organizim maskaradë”, veprimin e kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi i cili ka deklaruar se ka kaluar në LDK.

Përmes një postimi në Facebook, kjo degë ka njoftuar se nuk janë njoftuar as konsultuar në lidhje me këtë aderim të Gashit në LDK.

“Dega e LDK-së në Obiliq njofton anëtarësinë e saj dhe opinionin publik që nuk merr pjesë në njëfarë organizimi maskaradë që organizon kryetari i IQ-së në Obiliq. Ne as nuk jemi njoftuar e as konsultuar kurrë për një kinse aderim në LDK të kryetarit të IQ-së Xh.Gashi dhe rrjedhimisht e konsiderojmë zhvillim të parëndësishëm dhe që s’ka të bëjë fare me LDK-në”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, gjatë të enjtes ka thënë se bashkë me strukturat e Iniciativës Qytetare në Obiliq kanë kaluar në LDK.

Gashi kishte falënderuar elektoratin për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit lokale.