GLPS prezantoi analizën “Trajtimi i rasteve të keqpërdorimit në prokurim publik nga gjykatat dhe prokuroritë në Kosovë”

Drejtësia Sot, platformë e Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizoi sot Konferencën për Media për prezantimin e analizës me temën: “Trajtimi i rasteve të keqpërdorimit në prokurim publik nga gjykatat dhe prokuroritë në Kosovë”.

Duke qenë se prokurimi publik është nën shënjestër të luftës kundër korrupsionit, për shkak të natyrës komplekse të prokurimit publik me operatorë ekonomikë nga sfera private ky proces është parë si një mjet për keqpërdorimin e parasë publike dhe korrupsionit.

Qëllimi i analizes së publikuar është analizimi i veprimeve të akterëve të gjyqsorit dhe prokurorisë në trajtimin e çështjeve penale në këtë fushë. Nga të gjitha rastet e monitoruara dhe analizuara nga Drejtësia Sot sa i përket keqpërdorimit në prokurim publik janë gjetur 18 raste ku gjykatat themelore kanë marrë aktgjykim lirues, dënues ose refuzues. Ndërsa, në 5 raste janë gjetur se aktakuzat përmbajnë mangësi në përmbajtjen e tyre.

Nga analizimi i 18 rasteve të gjykatave themelore, Drejtësia Sot, ka gjetur se pothuajse në të gjitha rastet në përgjithësi janë shqiptuar dënime minimale. Kodi Penal përcakton që dënimi që mund të shqiptohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare parimisht është nga 1 deri në 8 vite burgim, ndërsa për veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik parimisht dënimi parashihet me burgim deri në 5 vite. Ndërsa, në rastet e analizuara sa i përket llojit dhe lartësisë së dënimeve prijnë dënimet me gjobë të cilat variojnë në lartësi nga 1500 euro deri në 7000 euro, pasuar nga dënimet me kusht të cilat variojnë në kohëzgjatje nga 6 muaj me periudhë verifikuese deri në 1 vit, si dhe dënimet me burgim efektiv të cilat variojnë në kohëzgjatje nga 6 muaj e deri në 3 vite.

Nga analizimi i 5 rasteve të prokurorive themelore, Drejtësia Sot ka gjetur se në aktakuzat e këtyre rasteve prokurorët me rastin e kualifikimit të veprës penale, kanë anashkaluar paragrafin 3 të nenit 415 të Kodit Penal, duke mos precizuar vlerën e dëmit të shkaktuar, ose përfitimit të realizuar me rastin e kryerjes së veprës penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik.

Ndonëse janë bërë ndryshime legjislative në vitin 2018, ku vepra penale e keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik është inkorporuar në Kodin Penal si vepër penale e veçantë, gjatë kësaj analize është gjetur se zbatimi i plotë në praktikë i dispozitës ligjore që përcakton këtë vepër penale, përkatësisht zbatimi i paragrafit që ka të bëjë me ndalimin e marrjes pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, paraqet sfidë për gjyqtarët gjatë implementimit në praktikë