Me 82 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar Projekt-Rregullorja e Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht partitë opozitare PDK, LDK e AAK, kanë kritikuar Vetëvendosjen për mungesën e një rregulloreje të tillë, me ç’rast thanë se për 10 vite kanë funksionuar me rregullore të vjetër.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se sot pozita e deputetit është më e urryera në Kosovë. Ai ka thënë se deputetët mashtrues nuk mund të identifikohen të gjithë.
“Ajo çka është e rëndësishme kemi dokument të konsoliduar. Shumë probleme që na kanë dalë pretendojmë që janë adresuar. Por do kemi mundësinë t’i adresojmë edhe disa çështje që duan sqarime i mandatit të konferencës së kryetarëve. Konferenca nuk mund të cenojnë kryesinë e kuvendit. Don qartësim edhe tek roli i kuvendit kontrollin që bëjmë ndaj tyre. Ajo çka don përkushtim ka të bëjë me disa të drejta dhe përgjegjësi të deputetëve. Sot pozita e deputetit është më e urryera në Kosovë. Ne jemi ata që na kanë votuar njerëzit. Deputet mashtrues nuk mund të identifikohen të gjithë deputetët. Ky imazh duhet të marrë trajtën e merituar. Nuk mundet pozita e deputetit të demolohet deri në këtë shkallë”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për 10 vite kuvendi funksion me një rregullore të vjetër. Ai tha se me këtë rregullore forcohet mekanizmi mbikëqyrës i ligjeve.
“Arsyeja pse nuk kemi rregullore është se VV nuk ka marrë pjesë në hartim. Me nene të veçanta rregullohet organizimi i grave deputete. Reformohet mekanizmi i pyetjeve parlamentare. Forcohet mekanizimi i mbikëqyrjes së ligjeve. Obligohet kodi i sjelljes për deputet. Ne kemi diskutuar inicimin e një ligji për deputet. Ne ligj për deputet nuk kemi nga viti 2010. Jemi dakorduar që të nisim hartimin e një ligji ku përcaktohen detyrat e përgjegjësitë”, ka thënë Tahiri.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se me këtë rregullore, roli mbikëqyrës i Kuvendit do të forcohet edhe më tutje.
“Ka pasur pritje prej 12 vjetëve që rregullon punën e këtij institucioni. Ka pasur bashkëpunim që kjo rregullore të vijë e të miratohet. Ndryshimet nuk janë shumë të mëdha. Po mendoj që substacionale është të ruhet mandati i lirë i deputetit. Amendamentet do të trajtohen brenda dy leximeve. Përvojat me raportimet e ministrave nuk e kanë ofruar këtë gatishmëri. Besoj që me miratimin e kësaj rregullore roli mbikëqyrës i kuvendit të forcohet më tutje”, ka thënë ajo.