Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka dorëzuar në Policinë e Kosovës disa nga gjetjet që i ka evidentuar Auditori i Brendshëm i kësaj ministrie për tri universitetet publike.
Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Ministria e Arsimit. Ata kanë bërë të ditur se kjo është bërë për gjetjet që Auditori ka rekomanduar MAShTI-n të veprojë konform ligjit.
“Janë iniciuar kërkesa për hetim në Polici, për të gjitha shkeljet e evidentuara dhe njëkohësisht konform rekomandimeve të auditorit shkeljet janë adresuar te përgjegjësit për veprim”, thuhet në përgjigjen e tyre.
KALLXO.com ditë më parë publikoi disa nga gjetjet e Auditorit të MAShTI-it për tri universitetet rajonale, atë të Gjilanit, Pejës dhe Ferizajt.
MAShTI po ashtu ka bërë të ditur se kanë marrë veprime edhe ndaj anëtarëve të Këshillave Drejtuese të këtyrëve universteteve.
“Në të gjitha këshillat drejtues të Universiteteve Publike ku janë evidentuar shkelje ligjore janë marrë masa ndaj Këshillit Drejtues, si organ me autorizim që të miratojë skemën financiare të delegimit dhe llogaridhënies me nën-njësitë buxhetore brenda institucionit përmes së cilës pasqyrohet planifikimi strategjik dhe detyrat mbi raportimin e performancës në funksion të zhvillimit të kapaciteteve, ngritjen e cilësisë dhe arritjen e rezultateve brenda çdo nën-njësie buxhetore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas MAShTI-it, janë shkarkuar dhe zëvendësuar anëtarët e Këshillave Drejtues të zgjedhur nga Ministria në të gjitha Univeristet Publike.
Në raportin e auditimit të siguruar nga KALLXO.com, auditori i MAShTI-it kishte gjetur disa shkelje që ka bërë Universiteti i Pejës, gjatë periudhës 1 janar 2020 deri më 31 maj 2021.
Në gjetje janë të përfshira shpenzime të krijuara në mënyrë të parregullt: pagesa pa zotim të mjeteve, dreka zyrtare me alkool, skadim të kontratave dhe pagesa retroaktive.
Edhe tek Universiteti i Ferizajt ishin evidentuar disa shkelje. Sipas raportit të Auditorit në Universitetin e Ferizajt disa nga vendimet e Këshillit Drejtues nuk ishin në harmoni me dispozitat ligjore dhe legjislacionin në fuqi.
Kurse, në Universitetin e Gjilanit, Auditori i Brendshëm kanë vënë në pah se UKZ ka shpenzuar para publike në dreka me çmime të larta dhe me pije alkoolike, ka shpërndarë mbushje telefonike te personat që nuk parashihen me vendim të Qeverisë, si dhe disa nga vendimet e Këshillit Drejtues të këtij Universiteti nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore dhe legjislacionin në fuqi të vendit tonë.