Ish zv.drejtoresha e AKI’së që u shkarkua nga Osmani dhe Kurti, pjesë e konferencës së sigurisë në Mynih

Ish-zëvendës drejtoresha e AKI’së, Vlora Hyseni, e cila ishte shkarkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, ka qenë pjesë e konferencës së sigurisë në Mynih, ku morën pjesë ekspertë e politikanë nga e gjithë bota.

Kjo bëhet e ditur nga disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale.

Vlora Hyseni ishte në pozitën e zëvendës drejtorit të AKI’së për dy vite e gjysmë, ndërsa në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës qëndroi katër muaj, deri sa ishte shkarkuar nga krerët e shtetit.

Aktualisht, Hyseni është këshilltare për siguri nacionale dhe politikë të jashtme e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku vazhdon të jetë e angazhuar në aktivitete ndërkombëtare të sigurisë, si në NATO e institucione tjera të sigurisë dhe diplomacisë në Shqipëri dhe më gjerë.

Ndryshe, Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit nuk kishte bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të Vlora Hysenit. Aty vetëm thuhej se zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI’së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhej në njoftim