INPO kërkon të dijë sa shpenzoi Komuna e Prishtinës në “Fundjavën e Punës” në Pejë – i refuzohet qasja në dokumente

Organizata INPO shpreh shqetësimin e thellë për mosgatishmërinë e Komunës së Prishtinës për të trajtuar kërkesat për qasje në dokumente publike dhe për të ofruar qasje në informatat rreth shpenzimit të parasë publike për organizimin e fundjavës së punës në qytetin e Pejës, informata këto të cilat konsiderohen gjithnjë të qasshme sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

INPO nëpërmjet medieve është informuar lidhur me organizimin e një fundjave pune nga ekzekutivi i Komunës së Prishtinës. Kjo fundjavë pune është organizuar më 5 dhe 6 shkurt 2022 në një hotel në komunën e Pejës.

Më 7 shkurt, INPO ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente dhe informata publike në komunë, përmes së cilës ka kërkuar:

  1. Në cilin hotel kanë qëndruar zyrtarët e Komunës dhe sa ka qenë kostoja financiare?
  2. Mbi çfarë procedure është zgjedh një hotel në Pejë e jo diku tjetër, përkatësisht çfarë procedure e përzgjedhjes së hotelit është përdorur?
  3. Cili ka qenë burimi financiar apo linja buxhetore e pagesës së hotelit dhe pse kjo nuk është bërë nëpërmjet procedurave të prokurimit?
  4. Emri, mbiemri dhe pozita për secilin/en zyrtar/e që ka marr pjesë në këtë takim;
  5. Një dëshmi e pagesës së plotë të qëndrimit dhe akomodimit në hotel të ekzekutuar nga Komuna e Prishtinës;
  6. Kontratën e nënshkruar ndërmjet hotelit dhe Komunës së Prishtinës dhe
  7. Dokumentet, planet apo strategjitë e dala nga “Fundjava e Punës” në Pejë.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-81 për Qasje në Dokumente Publike, komuna është e obliguar që të ofroj përgjigje në kërkesën për qasje brenda shtatë (7) ditësh. Mirëpo, deri më sot edhe pse kanë kaluar pesëmbëdhjetë (15) ditë, INPO nuk ka marrë asnjë dokument apo informatë konkrete lidhur me kërkesën tonë. Sipas ligjit, heshtja apo mospërgjigja konsiderohet refuzim i qasjes në dokumente publike. Rrjedhimisht, INPO brenda afateve ligjore ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe presim që e njëjta të veprojë sipas mandatit dhe kompetencave te saj ligjore për të na ofruar informatat dhe dokumentet e kërkuara.

Tutje, INPO e bën me dije se nuk është kundër përdorimit të metodave dhe mjeteve të ndryshme nga qeverisjet komunale për të organizuar punën në komunë. Përkundrazi, INPO inkurajon të gjitha qeveritë lokale, përfshirë edhe atë të Komunës së Prishtinës, që të përdorin të gjitha mjetet dhe mekanizmat në dispozicion për të ofruar shërbime të shpejta, efikase dhe efektive për qytetarët. Mirëpo, INPO insiston që çdo veprim i komunave, përfshirë edhe atë të Prishtinës, të përcillet me transparencë, llogaridhënie dhe sundim të ligjit. Mungesa e zbatimit të këtyre tri parimeve nuk garanton qeverisje të mirë dhe efikase në komunë.

INPO kërkon nga Komuna e Prishtinës që të zbatojë parimet e transparencës institucionale dhe sa më parë të na ofroj qasje në dokumente publike dhe të publikoj dokumentin apo planin e nxjerr si rezultat i javës së punës në Pejë.