Gazeta Metro e drejtuar nga Valon Syla, që në opinion kishte vjellë vrer ndaj diasporës shqiptare vite me radhë, duke i vlerësuar si llumi i shoqërisë, e duke i quajtur edhe me emrin tanimë të njohur e të zbuluar nga ai, “Gërrnaqa”, paska filluar njollosjen edhe të futbollit të Kosovës.
Syla, të cilit më së miri i shkon për fytyre ky emërtim “Gërrnaqi i Kosovës”, i ka dhënë hapësirë një artikulli gjëja hulumtues e që sipas tyre trajton një problem të para shtatë viteve. Sipas gazetës së “Gërrnaqit të Kosovës”, Metro, në vitin 2016, ende pa u pranuar futbolli ynë në FIFA, për pak sa nuk qenka përfshirë në kurdisje të një ndeshje ndërkombëtare të Kosovës U-21.
Ky sulm ndaj Kombëtares së Kosovës, vije pikërisht në prag të dy ndeshjeve miqësore, që do t’i ketë me Burkina Fason dhe Zvicrën.
Tani kur është paralajmëruar edhe përzgjedhësi i ri, dhe gjithë opinioni futbolldashës me padurim po e pret fillimin e një cikli të ri të yjeve tanë, Metro, merr guximin të përbaltë futbollin e Kosovës me artikuj të porositur, e kush më mirë se ky medium i pranon porositë e tilla, dashakeqëse e qëllimkëqija.
Kombëtarja e Kosovës në futboll së fundi, ka shënuar edhe ngritje në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, ndërkaq në vend të këtij lajmi të gëzueshëm, i sajohet adhuruesve të futbollit një shkrim, kur kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, kishte Fadil Vokrrin, tanimë të ndjerë. Në mungesë të tij, ata përmendin emra tjerë dhe kinse të implikuar në diçka që asnjëherë nuk është provuar deri më tani. Fatmirësisht Gazeta Metro, tashmë është identifikuar si një medium që përcjellë shkrime me porosi të cilat vetëm do sjellin të qeshura te adhuruesit e futbollit të Kosovës, të cilët dita-ditës po i prekin e shijojnë sukseset e futbollit tonë.