Presidenti Ademi mori pjesë në shpalosjen e strategjisë së FSHF-së “Futbolli për Kombin”

Presidenti Agim Ademi ka marrë pjesë sonte në eventin e Federatës Shqiptare të Futbollit rreth lansimit të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025”, të cilën e paraqiti presidenti Armand Duka në ambientet e stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

Gjatë këtij eventi kreu i futbollit shqiptar shpalosi para opinionit strategjinë për katër vitet e ardhshme, ku vuri në pah 9 shtyllat kryesore ku do të mbështetet “Futbolli për kombin 2022-2025” e që janë Grassroots ose Futbolli amator dhe i fëmijëve; Edukimi; Kompeticionet kombëtare; ekipet kombëtare; infrastruktura; futbolli i femrave; qeverisja e mirë; marrëdhëniet me publikun dhe përgjegjësia sociale.

Pas eventit, presidenti i FSHF-së shtroi darkë për dy homologët e tij, Agim Ademi e Muhamed Sejdini, ku u diskutua strategjia e futbollit në tri vendet tona, e ku edhe një herë u theksua rëndësia që ka bashkëpunimi i tyre i ngushtë në realizimin e projekteve madhore me mbështejen e UEFA-s.