Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti e Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla kanë udhëtuar drejt Mynihut të Gjermanisë, ku mbahet Konferenca e përvjetshme e Sigurisë, të cilën e kryeson Wolfgang Ischinger.
Por, Kosova po del të jetë kliente (ose ka qenë e tillë), e diplomatit gjerman, pasi sipas portalit, Politico, ka nënshkruar vite më parë kontratë me firmën e tij “Agora Strategy Group”, nga e cila kryesuesi i konferencës gjeneron të hyra 2-3 milionë euro edhe me klientë tjerë si Qatari, Gjoergjia etj. Gazeta Express gjatë javës ka çuar pyetje në Presidencë, Qeveri dhe MPJ për të marrë vesh se a paguan Kosova ndonjë kompani lobimi, por nuk ka marrë përgjigje.
Ischinger ka qenë subjekt i një shkrimi të gjatë në “Politico”, ku portretohet si përfitues nga pozita e tij në krye të këtij forumi prestigjioz, që frekuentohet nga elita botërore e politikës.
Kur Presidenti Hashim Thaçi kishte udhëtuar në Bjellorusi, në tetor të vitit 2018, në kryeqytetin e saj Minsk, shumëkush kishte mbetur i habitur. Ky vend ndodhet në sferën ruse të influencës dhe nuk e njeh pavarësinë e saj. Por, në Takimin e Grupit Kryesor të Konferencës së Sigurisë të Munihut, ku krerë shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare, ministra, deputetë e drejtues të OJQ-ve dhe gazetarë, të thirrur nga një diplomat i kategorisë së rëndë siç është Ischinger, duket se nuk ka pasur vështirësi për të siguruar një ‘biletë” për shefin e shtetit të Kosovës.
Sipas Politico, Kosova në këtë kohë nuk kishte nënshkruar një kontratë me Agora Strategy Group, por pikërisht ishte momenti kur ata po përpiqeshin ta rekrutonin Kosovën, sipas një personi, që ky portal e përdorë si burim.
“Pas disa javësh Kosova ka nënshkruar” shkruan Politico. Qëllimi i kontratës sipas portalit, është ndihma që Agora Strategy Group do t’ia bënte Kosovës në objektivat strategjikë të saj siç është anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave.
Politico, bën me dije se i ka pyetur Gjeorgjinë, Kosovën dhe Katarin, për komente por asnjëra nuk është përgjigjur.
Një episod tjetër sipas Politicos, kur Kosova tashmë ishte klient i kësaj kompanie, ka ndodhur në vitin 2020 kur në Muynih ishin të ftuar Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i ri “ Vetëm disa javë para konferencës, qeveria e re ishte formuar në Kosovë dhe Agora ishte e interesuar që ta mbantë gjallë këtë marrdhënie” shkruan Politico.
Konferenca e sivjetme ka filluar të premten dhe për fokus do t’i ketë zhvillimet në Ukrainë.
Ischinger në një përgjigje ka insistuar se ai i është përmbajtur standardeve më të larta etike dhe i hedh poshtë sugjerimet se ndonjëherë i ka vënë interesat personale para atyre të Konferencës së Mynihut.
“E kam bërë më të mirën në 14 vjet për të siguyruar se nuk ka përzierje mes Konferencës së Sigurisë të Mynihut dhe pasurimit personal” ka thënë ai në një konferencë për media.
Por, sipas Politicos aktivitetet e Agora kanë mungesë transparence.
“Detajet e plota se për kë punon Agora, çfarë përmban kjo punë dhe sa është kostoja nuk janë publike dhe kjo firmë nuk ka obligime ligjore t’i bëjë publike këto informata”.
Gazeta Express gjatë javës ka çuar pyetje në Presidencë, Qeveri dhe MPJ për të marrë vesh se a paguan Kosova ndonjë kompani lobimi, sic ka qenë rasti me qeveritë e kaluara dhe Presidencën, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, Kosova në Konferencën e Mynihut do të përfaqësohet Kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të cilët kanë njoftuar sot për agjendën e tyre në Mynih ku edhe i kanë nisur aktivitet.
Diplomati gjerman me një karrierë të gjatë në diplomaci, ka qenë pjesë e bisedimeve Kosovë -Serbi, si pjesë e të ashtuquajturës Trojka ( Ischinger, Wisner, Kharchenko), në përpjkeje për të arritur marrëveshje. Por, as tre diplomatët e rangut të tillë nuk kishin arritur ta merrnin miratimin Serbisë për ujdi me Kosovën, e cila kishte shpallur pavarësinë, pasi kishte përfunduar angazhimi i tyre.