Kurti më në fund del nga ‘zgafella’, sot udhëton për Gjermani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot udhëton për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë atje (Munich Security Conference).


I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryeministri Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale.

Kujtojmë që Kurti nuk ka pasur udhëtime zyrtare në shtetet perëndimore që një kohë të gjatë, për Amerikë as që bëhet fjalë.

Kjo konferencë që nga fillimi i saj në vitin 1963, “Konferenca e Sigurisë së Mynihut” ka qenë një vend jetik për politikëbërësit, ekspertët dhe udhëheqësit transatlantikë që trajtojnë çështjet më urgjente të sigurisë të ditës.

Dekadave të fundit, kjo konferencë është bërë forum i pavarur më i rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve nga vendimmarrësit e politikave ndërkombëtare të sigurisë.

Çdo vit ai mbledh rreth 350 figura të larta nga më shumë se 70 vende të botës për t’u përfshirë në një debat intensiv mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.

Lista e të pranishmëve përfshin krerët e shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të rangut të lartë të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, si dhe bizneseve dhe mediave.