Eurodeputetja franceze e quan skandaloze mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Deputetja franceze në Parlamentin Evropian, Dominique Bilde, e ka quajtur skandaloz refuzimin e autoriteteve të Kosovës për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, në janar të këtij viti.

Bide e cila është anëtare e partisë së Le Pen, ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se fati i serbëve të Kosovës po përkeqësohet dita-ditës.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se ka kërkuar mocion për një rezolutë për manastiret serbe, të klasifikuara siç ka thënë, “të rrezikuara” nga UNESCO.

“Fati i serbëve të Kosovës po përkeqësohet dita-ditës! Mocioni im për një rezolutë për manastiret serbe të klasifikuara si “në rrezik” nga UNESCO. Skandaloz është edhe refuzimi i hapjes së qendrave të votimit për referendumin e janarit!”, ka shkruar Bilde në Twitter.

Më 16 janar është mbajtur në Serbi referendumi për ndryshime kushtetuese në këtë shtet.

Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e këtij referendumi në Kosovë, në formën siç kishte kërkuar Serbia, por vetëm përmes postës dhe në zyrën ndërlidhëse, gjë që është refuzuar nga shteti fqinj.