Sejdiu: Duhet punuar shumë që të ndalim largimin e mjekëve nga Kosova

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe nga vendet e rajonit për shtetet perëndimore po vazhdon edhe më tej.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, tha se shëndetësia kosovare është në krizë, për shkak të ikjes së mjekëve.

“Ne nuk mund t’i ndalim mjekët kosovarë të mos largohen nga Kosova, ky problem është edhe te shtetet e rajonit, probleme ka Sllovenia, Kroacia, Rumania, Shqipëria etj. Ne nuk mund të dimë se çka do të ndodhë, nuk është vetëm çështja e pagave për të ndalur ikjen, por pozita e mjekut në sistem. Ne duhet të punojmë që të zvogëlojmë ikjen e mjekëve”, tha ai për RTK-në.

Sipas tij, tani për tani nuk ka shumë lëvizje pozitiv për të ndalur ikjen e mjekëve.

Sejdiu tha se është absurde që sot mjekët dalin në pension me 90 euro.

“Ne sot jemi të amortizuar, me alarmin për ikjen ne nuk po i destimulojmë ata, por shteti dhe sistemi po i destimulojnë mjekët e Kosovës për ikje prej Kosove”, tha ai.