Prokuroria kërkon paraburgim për dy aktivistë të PSD-së që u arrestuan në ZRRE

Prokuroria Themelore e Prishtinës të martën e 15 shkurtit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy aktivistëve të PSD-së, Nol Nushit dhe Genc Sherifit.

Kjo për shkak të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, që ndërlidhet me rastin e të shtunën së 29 janarit ku ata u paraqitën në zyret e ZRRE-së në shenjë revolte për shtrenjtimin e rrymës, duke refuzuar të dalin nga aty, nga ku më pas u arrestuan nga Policia e Kosovës.

“Ju njoftojmë se prokurori i shtetit më 15 shkurt 2022, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.N. dhe G.Sh., në drejtim të veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar” që ndërlidhet me rastin e datës 29 janar 2022”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës për lajmi.net.

Ndërsa, për të ndaluarit e tjerë rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.