Kosova urimet e para për 14-vjetorin e Pavarësisë i mori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Bosnje Hercegovina.
Ishin liderët e këtyre shteteve të cilët i dërguan letër urime presidentes Vjosa Osmani, duke uruar por edhe duke dhënë mesazhe të tjera.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 14 viteve të pavarësisë së saj, duke u shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të gatshëm për të ndarë përvojat e veta me botën.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, ka thënë Biden.
Po ashtu, dje Osmani pranoi urimin edhe nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, letër urimi u dorëzua nga ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Jörn Rohde.
“Ambasadori Rhode ia ka dorëzuar Presidentes Osmani telegramin e urimit të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërsa, kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, ka deklaruar se janë të inkurajuar dhe të kënaqur nga përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Jemi të bindur se rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo tjetër bashkëpunimi dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Bosnjës e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jetë e një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendeve tona”, ka thënë Komshiq në urim.
Këto urime Osmani pranoi dy ditë para përvjetorit të 14-të.