Kompania për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS, është duke refuzuar që të bëjë kalibrimin e njehsorëve elektrik të konsumatorëve, ashtu siç obligohet më ligj. KEDS, duhet që çdo gjashtë vjet secilin njehësor ta dërgojë për testim për të parë apo rregulluar faturimin në bazë të konsumit. Se konsumatorët nuk kanë përvojë të mirë me faturim, pretendohet edhe në një aktakuzë të ngritur vite më parë nga Prokuroria kundër disa zyrtarëve me pretendimin se është faturuar më shumë sesa shpenzuar me njehsorët “Kohler”.
Shteti ka dështuar të obligojë Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) që të testojë njehsorët elektrikë.
KEDS është e obliguar të testojë secilën orë elektrike, bazuar në një rregullore të Ministrisë së Tregtisë.
Rregullorja për Mjetet Matëse Ligjërisht të Kontrolluara, obligon KEDS-in, ashtu sikurse Operatorin e Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), të testojë njehsorët elektrikë çdo gjashtë vjet.
Për testimin e orëve elektrike, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë (MINT), ka licencuar një kompani private për realizimin e shërbimit të testimit të njehsorëve elektrikë.
“Helbko” L.L.C, një kompani private me bazë në Kroaci, pranoi në muajin mars të vitit të kaluar licencën për kalibrimin e njehsorëve elektrikë në Kosovë.
Sipas vendimit të Ministrisë së Tregtisë, “Helbko” L.L.C. shërben si trupë inspektuese për njehsorët elektrikë me autorizimin e AMK-së. Testimi i një njehsori elektrik kushton rreth tri euro, bazuar në një udhëzim administrativ të MINT-it.
Por, aktet nënligjore të shtetit i ka shkelur “me dy këmbë” KEDS-i. Prej vitësh është duke refuzuar obligimet ligjore.
Kompania private turke nuk e ka dorëzuar asnjë njehsor elektrik për testim në “Helbko” L.L.C që prej licencimit të kompanisë kroate nga AMK-ja, ka thënë kompania kroate “Helbko” L.L.C në një deklaratë për Paparacin.
Refuzimi për testimin e njehsorëve elektrikë rrit rrezikun e matjeve të pasakta të orëve elektrikë të konsumatorëve të KEDS-it.
Ndërkohë, kompania shtetërore KOSTT e bën kalibrimin në mënyrë të rregullt siç obligohet me rregullativën ligjore.
KOSTT-i, që ka një numër shumë të vogël të njehsorëve elektrikë sesa KEDS-i, dërgon rreth dhjetë njehsorë elektrikë çdo muaj për testim në trupën inspektuese të licencuar nga Ministria e Tregtisë, ka thënë “Helbko” L.L.C.
“‘Helbo’ L.L.C. nuk ka pranuar asnjë njehsorë elektrikë nga KEDS-i që prej pranimit të autorizimit nga AMK-ja. Të vetmit njehsorë elektrikë që kemi pranuar janë ata të KOSTT-it”, thuhet në përgjigjen e kompanisë kroate.
Paparaci ka kërkuar sqarime nga KEDS-i pse nuk i ka dërguar për testim njehsorët elektrikë tash e gati një vit, por nga kompania private nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Edhe Agron Shurdhani, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, po ashtu ka refuzuar të komentonte mbi refuzimin e KEDS-it për testimin e njehsorëve, në një bisedë të shkurtër telefonike për Paparacin.
Shurdhani i ka sugjeruar mediumit të dërgonte pyetje në adresë të Ministrisë së Tregtisë. Por, as MINT nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Bazuar në Rregulloren e Ministrisë së Tregtisë për Mjetet Matëse Ligjërisht të Kontrolluara, njehsorët elektrikë “dinamik njëfazor dhe shumëfazorë për rrymë alternative” duhet të testohen çdo gjashtë vjet.
Ndërkaq, njehsorët elektrikë njëfazor dhe shumëfazorë të rrymës alternative, sipas rregullores, parashihet të testohen çdo tetë vjet.
Më 8 shkurt, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar tarifa të reja të rrymës, sipas të cilave, të gjithë ata që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj, do të paguajnë më shtrenjtë.
Siç është njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj.
Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ndryshon, gjegjësisht do të vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Konsumatorët nuk kanë pasur përvoja të mira me KEDS-in sa i përket faturimit. Vite më parë Prokuroria kishte akuzuar disa persona për manipulim me njehësorë elektrikë të tipit “Kohler”.
Më 6 tetor 2015, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte akuzuar Vjollca Ajvazin dhe Drita Hamitin, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajn, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it.
Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.
Sipas aktakuzës, dy zyrtaret Ajvazi dhe Hamiti, kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimit e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, të tipit digjital “AEL. TF.04-1”.
Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale, pas i njëjti nuk jeton më.
Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi.