Nisin përgatitjet për 14-vjetorin e Pavarësisë, këtë vit monumenti “Newborn” iu dedikohet grave

Kanë nisur përgatitjet për 14-vjetorin e shpallje së Pavarësisë së Kosovës, ku tashmë në sheshet kryesore në kryeqytet ka filluar vendosja e flamujve.

E në anën tjetër, institucionet kosovare ende nuk kanë bërë të ditura të gjitha aktivitetet të cilat do ta shënojnë atë ditë.

E për këto 14 vite Pavarësi, qytetarët thonë se në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të mira por që thonë se ato kanë qenë të ngadalshme.

E disa prej tyre, kërkojnë nga institucionet që të punojnë e jo të merren me të kaluarën.

Seremb Gjergji tha se festën e Pavarësisë së Kosovës do ta festoj në Tiranë me shoqëri për ta parë se si duket festa nga atje.

“Unë mendoj që kemi pas një zhvillim shumë të mirë të ngadalshëm, por të mirë. Nuk kemi mbërri t’i bëjmë gjërat që kemi dashtë me i realizuar më shpejtë ose e kemi ëndërruar pak më ndryshe shpejtësinë e implementimit të tyre edhe i kemi bë nja dy tre gafe të pafalshme prej 2013 e këndej në bisedime me Serbinë, po ndoshta ndryshojnë tash në proces”, u shpreh ai.

Ndërsa Agim Gashi nga Podujeva, tha se në këto 14 vite shtet, Kosova është më mirë se që ka qenë. Ai u shpreh i zhgënjyer nga kryeministri Kurti.

“Këtë e kemi prit me baballarë, me babagjysh e me krejt që 100 vite po them, ndoshta edhe më shumë. Veç ishalla e gëzojmë e merremi vesh ndërmjet vete. Duhet me punu ne më shumë e sidomos politikanët. Mu afru afër vete, me i ndihmu njëri tjetrit. Edhe Albini menduam që po na bën diçka veç pak jam ftohë me të se së pari unë jam i vogël me i dhënë vërejtje atij po është puna që nuk po bashkëpunon por po mundohet të merret me të kaluarën. Leje të kaluarën, e kaluar e shkuar s’ka nevojë me u merr me ato çka janë bë e tek janë bë po grahi t’i këtu e andej se popullin e ka pas vete. Ligjet duhet me ardhë në fuqi se pa ligje në fuqi shteti s’mundet me ekzistua, po duhet me qel vende të punës me i lënë njerëzit me punu se njëherë është tollovi, s’po kanë ka punojnë”, tha ai.

Kurse qytetari tjetër i cili nuk deshi të prezantohej me emër tha se festën e Pavarësisë së Kosovës do ta festoj në shtëpi. Ai tuje tha se shqiptarët në përgjithësi që kërkojnë ndryshime shumë të shpejta.

“Po më jep përshtypje e dallim nga vitet tjera që në vend të flamujve të Shqipërisë, e kem flamurin e shtetit tonë që po më duket një risi. Ma merr mendja që pavarësinë e kemi aq sa kemi respekt për pavarësinë e shtetit. As një shtet që njoh, nuk është zhvillu për këtë kohë kaq të shkurtët kaq shumë. Po ne mendojmë që si ta bëjmë fëmijën me bë me kravatë, me vend të punës, me pas një kerr e të gjitha të mirat që është e pamundur”, thotë ai

“Normalisht ka edhe keqpërdorime, por nuk duhet me i zmadhua shumë se do sene edhe kur i dimë nuk duhet t’i themi së paku jo publikisht”.

Ndërsa monumenti i “Newborn” edhe këtë vit do ta të merr pamje ndryshe. Këtë radhë ky monument dedikohet gruas. Këtë e ka bërë të ditur Fisnik Ismaili në një postim në Facebook.

“I kushtohet çikave tona në sport, në muzikë, në film, e në çdo fushë që po na e zbardhin fytyrën, por mbi të gjitha, i kushtohet grave që hala sot abuzohen e vriten në shtëpi të tyre, para familjeve të tyre. Winged Women – Gratë me Krahë, është tema sivjet, ku monumenti NEWBORN, bashkë me krejt juve, kemi me i jepë grave krahë. Me i trajtue barabartë edhe me iu ndihmue me u ngritë çdo moment”, ka shkruar Ismaili.

Kujtojmë që të enjten, më 17 shkurt do të mbahet seancë solemne për nder të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë.