Bizneseve të huaja që ofrojnë shërbime elektronike në Kosovë u kërkohet regjistrimi për TVSH. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate të dërguar për media nga Administrata Tatimore e Kosovës.
ATK-ja thotë se sipas legjislacionit në fuqi, për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike ndaj personave jo të tatueshëm, përkatësisht personave që nuk janë të regjistruar për TVSH në Kosovë, të cilët kanë adresën e tyre të përhershme ose zakonisht banojnë në Kosovë, vendi i furnizimit të këtyre shërbimeve konsiderohet të jetë Kosova dhe duhet të ngarkohet TVSH në Kosovë në normën standarde prej 18%.
“Ligji Nr. 05/L-037 për TVSH parasheh një listë të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, që përfshinë shërbimet si vijon: Furnizimi i websiteve, web-hosting, mirëmbajtja në largësi e programeve dhe pajisjeve; Furnizimi i software-it dhe freskimi i tij; Furnizimi i figurës, tekstit dhe informatave, dhe vënia në dispozicion e bazës së shënimeve; Furnizimi i muzikës, filmave dhe lojërave, duke përfshirë lojërat shpërblyese dhe lojërat e bixhozit, ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe emisioneve zbavitëse; Furnizimi i mësimit nga largësia”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar ofruesit e huaj të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhershme në Kosovë. Obligimi për regjistrim rrjedh që nga fillimi i aktivitetit ekonomik në Kosovë, përkatësisht ofruesit ligjërisht obligohen të regjistrohen për TVSH para se të realizojnë shitje të tatueshme në Kosovë.