Mbahet seanca e vlerësimit për caktimin e urdhëresës gjyqësore në rastin ku kryeshefi i NPB-së ka paditur LVV-në për shpifje e fyerje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten është mbajtur seanca e vlerësimit të propozimit për caktimin e urdhëresës gjyqësore në rastin ku paditësi Hajdar Hoxhaj- kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), ka paditur LVV-në dhe ka kërkuar largimin e lajmit nga “Facebook-u”, me anë të së cilit pretendon se janë bërë shpifje dhe fyerje ndaj tij.

Në këtë seancë, nuk ishte prezent askush nga pala e paditur LVV edhe pse të njëjti ishin ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e kishin arsyetuar, mirëpo seanca është mbajtur me propozimin e përfaqësuesit të paditësi Hoxhaj, avokatit Valdrin Behrami

Behrami tha se qëndron në tërësi pran propozimit për caktimin e urdhëresës gjyqësore dhe se është e domosdoshme një urdhëresë e tillë për arsye se Hoxhajt janë duke iu shkaktuar dëme të mëdha dhe të parikuperueshme për personalitetin e tij për shkak të publikimeve të cilat janë në rrjetin social “Facebook” të LVV-së.

Gjyqtarja Gashi tha se lidhur me propozimin për caktimin e urdhëresës gjyqësore do të vendos me aktvendim të veçantë pas vlerësimit të provave.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 15 shtator 2021, paditësi Hajdar Hoxhaj- kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) ka paditur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se më 2 shtator 2021 përmes një komunikate publike në medie dhe llogarinë e tyre personale në rrjetin social “Facebook”, ka postuar një shkrim ku ka thënë se NPB po tenton manipulimin e një projekti gjigant, që sipas tyre kapë vlerën e 200 milionë eurove.

Në padi thuhet se asamblisti i LVV-së, Egzon Azemi, në një konferencë për medie ka thënë se në fund të mandatit, duke përfituar nga koncentrimi i subjekteve politike për të bërë fushatë, po tentohet të lihet në harresë fati i NPB-së, ku po parashihen 100 mijë metra ndërtim e ku vlera e përgjithshme e fitimit do të jetë 200 milionë euro në tërësi.

Tutje, në padi thuhet se Azemi gjithashtu ka thënë se NBP do të përfitojë vetëm 30% dhe se do të përfitojnë vetëm një grup i ngushtë i këtij pushteti lokal apo disa firma fiktive anonime ndërtimore, e që sipas tij ajo kompani është regjistruar në ARBK vetëm një ditë para se të bëhej shpallja nga NPB dhe se i njëjti thuhet se ka akuzuar edhe partitë tjera si LDK, PDK, PSD dhe AKR se janë duke e bllokuar që në Kuvendin Komunal të debatohet për këtë projekt.

Gjithmonë sipas padisë, LVV me qëllime të pastra politike, me insinuate, aludime dhe deklarime të pavërteta ka shpifur për paditësin duke i shkaktuar dëm moral dhe duke i shkelur vlerat e mbrojtura në çdo shoqëri demokratike, pasi që shuma totale e investimit, i cili do të jetë objekt investimi arrin shumën 118 milionë euro, ndërsa deklarimi shpifës për 200 milionë euro, është i pavërtetë.

Sipas padisë, publikimi i lajmeve të tilla bie nën definicionin e shpifjes.

Mbi këtë bazë, paditësi Hoxhaj po kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura-kundërpropozuesja LVV  ta largojë shkrimin fyes dhe shpifës, të detyrohet e njëjta që të kërkojë falje publike dhe të mbajë në llogarinë e tyre në “Facebook” demantimin e lajmit të publikuar për NPB,  si dhe të mbulojë shpenzimet e procedurës.

Paditësi gjithashtu në bazë të nenin 16 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes ka parashtruar edhe kërkesë për caktimin e urdhëresës gjyqësore ku i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet LVV që të bëjë largimin e lajmit të publikuar dhe të mbulojë shpenzimet procedurale.

Ndërkaq, në përgjigjen në Propozimin për Caktimin e Urdhëresës Gjyqësore të dhënë më 6 dhjetor 2021, e paditura-kundërpropozuesja e kundërshton si të pathemeltë propozimin për caktimin e urdhëresës gjyqësore.

Tutje në përgjigje në propozim thuhet se në konferencën për shtyp të mbajtur nga asamblistët e LVV-së, Egzon Azemi dhe Berat Lahu nuk është përmendur fare emri i paditësit-propozuesit Hoxhaj, andaj të njëjtit i mungon legjitimiteti real aktiv për të qenë palë në procedurë dhe se i njëjti nuk ka kërkuar përmirësimin e shprehjeve të përdorura në konferencën për medie.

Në përgjigje, në propozim gjithashtu thuhet se Azemi dhe Lahu dyshimet për manipulime rreth projektit të ndërtimit të objekteve banesore dhe lokaleve afariste në formë të bashkëinvestimit me kompanitë private, i kanë ngritur në të gjitha mbledhjet e Kuvendit Komunal përgjatë muajve korrik, gusht dhe shtator e të cilat janë pasqyruar në konferencë për medie, të mbajtur në kohën e mbledhjes së Kuvendit Komunal të 2 shtatorit 2021.

Gjithmonë sipas përgjigjes në propozim, Azemi më 24 qershor 2021 në NPB kishte dorëzuar kërkesë për qasje në dokumente publike, përkatësisht vendimin e 9 marsit 2021, në bazë të së cilit është publikuar njoftimi për shprehje të interesit, aplikacionet e kompanive dhe dokumentet e tjera relevante lidhur me këtë shpallje.

Mirëpo, thuhet se Hoxhaj  me vendim e kishte refuzuar kërkesën e tij, me arsyetimin se procesi ende nuk ka përfunduar dhe një refuzim i tillë nuk i është referuar asnjë dispozite ligjore nga neni 17, i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Tutje, në përgjigjen në propozim thuhet se portale të ndryshme kishin raportuar për shkeljet procedurale gjatë dhënies së këtij tenderi, e të cilat raportime janë të bazuara në provat që i kanë siguruar këto media dhe të njëjtat LVV ia ka bashkangjitur përgjigjes në propozim dhe se kërkesa për masë sigurie që të largohet lajmi vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje është e pakuptimtë.

Në përgjigjen në propozim thuhet se njoftimi për shprehje të interesit nuk ishte shpallur në asnjë medie siç ndodh rëndom, nuk përmbante asnjë informacion mbi kriteret, dokumentacionin dhe referencat e tjera që duhej të plotësoheshin, afati për tu regjistruar ka qenë nga 10 deri më 12 mars 2021 dhe se i njëjti nuk kishte autor, nënshkrim, emër, mbiemër dhe nuk ishte i protokolluar.

Mbi këtë bazë, e paditura-kundërpropozuesja Lëvizja Vetëvendosje po kërkon nga gjykata që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për lëshimin e urdhëresës gjyqësore, e propozuar nga paditësi Hoxhaj dhe të obligohet i njëjti që t’i mbulojë shpenzimet e procedurës.