Në konferencën vjetorë të prokurorëve është kërkuar që procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit të zhvillohet bazuar në transparencë dhe meritë. Aty ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar nga prokurorët rezultate në adresimin e veprave penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se zgjedhja e kryeprokurorit të Shtetit është përtej Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Haxhiu: Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit të jetë transparent dhe meritor
“Zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit është përtej Këshillit Prokurorial të Kosovës, sepse ka jehonë e ndikim si brenda po ashtu edhe jashtë vendit. Prandaj ky proces jo rastësisht ka edhe vëmendjen e të gjithëve por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, edhe shoqërisë civile, edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sigurohuni që ky proces të jetë transparent, i drejtë, profesional dhe meritor. Faleminderit për punën e mirë që keni bërë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të angazhohet për adresimin e krimeve që janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa ka shtuar që nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për dhunën në familje, ndaj grave dhe atë në baza gjinore.
Haxhiu: Prokurorët të angazhohen të nxjerrin para drejtësisë ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve
“Ju lutëm që gjatë punës suaj të keni parasysh që përveç tjerash qytetarët duan rezultate në adresimi ne disa prej veprave penale që e kanë lënë të pazhvilluar vendin tonë, ato të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Angazhohuni shumë që të nxjerrni para drejtësisë ata të cilët kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i paprekshëm dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ju duhet të dëshmoni që nuk u interesojnë emrat e përveshëm të njerëzve që hetohen apo pozicionet që mbajnë, por vepra që kanë bërë”, ka thënë ajo.
E kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili është në fund të mandatit të tij, ka deklaruar se pasardhësi i tij duhet të ketë mbështetjen edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Lumezi: Kryeprokurori i ri Shtetit duhet të marrë besimin edhe nga partnerët ndërkombëtar
“Institucioni i Prokurorit të Shtetit për disa muaj do të ketë një drejtues të ri i cili duhet të marrë besimin jo vetëm nga institucionet e shtetit tonë por edhe nga partnerët ndërkombëtar. Prandaj ne duhet të vlerësojmë sensin e bashkëpunimit në rrugën e përbashkët për vendosjen e këtij procesi në mënyrë të drejtë, fer, dhe transparente, të bazuar në vlera të barazisë dhe meritokracisë. Dua të besoj se kushdo që bëhet kryeprokuror i ri i Shtetit do të jetë i gatshëm të mbrojë nderin, autoritetin dhe pavarësinë e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe të punojë në funksion të ligjit. Gjatë këtyre viteve institucionit i Prokurorit të Shtetit ka qenë unik duke treguar forcë dhe vendosmëri për tu përballu me çdo situatë të krijuar, besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Sistemi të cili ne kemi ndërtuar ka qenë i qëndrueshëm për ti bërë ballë çdo lëkundje që vinte nga kritikat e pajustifikuara të individëve që donin ta shihnin sistemin ashtu siç ata e kanë paramenduar”, ka thënë Lumezi.
Ai ka folur për punën e këtij institucioni që sipas tij ka treguar efikasitet të lartë duke shtuar se sipas urdhrave të prokurorisë gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrëse masa të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave të rënda penale.
Ndër të tjera, ai ka përmendur rastin subvencionet, atë Brezovica, aksionin për konfiskimin e 400 kilogramëve narkotik dhe atë të Thesarit.
Lumezi: Është populiste të flitet pro vetingut
“Gjatë vitit të kaluar është folur shumë edhe për reformat dhe vetingun në sistemin e drejtësisë. Jam i vetëdijshëm që është shumë populiste të flitet pro vetingut, pasi që sistemi i drejtësisë është zona më e ndjeshme nga komentet e mediave, shoqërisë civile dhe në disa raste edhe të politikës. Reformat në drejtësi nuk mund të ndërtohen nëse injorohen interesat e përgjithshme duke u dhënë prioritet interesave politike dhe grupore. Kushtetuta, ligji dhe institucionet nuk janë ndërtime provizore por janë themel i një shoqërie të lirë dhe demokratike të cilat duhet të respektohen nga degët e tjera të pushtetit”, ka thënë Lumezi.
Lumezi ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë zgjidhur 50 mijë e 118 lëndë penale të natyrave të ndryshme dhe janë zgjedhur 793 raste të ndryshme të korrupsionit.
Sipas Lumezit, akuzat ndaj zyrtarëve të qeverisë tani janë realitet i përditshëm.
E ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se në Kosovë ndër vite është arritur progres në sistemin e sundimit te ligjit.
Ndërsa lidhur me procesi ne përzgjedhjes ë kryeprokurorit të ri të shtetit, ka thënë se i njëjti duhet të jetë transparent.
Hovinier: Është me rëndësi të ketë proces transparent dhe bazuar në merita në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit
“Tani për tani keni një proces shumë të rëndësishëm që është përzgjedhja e kryeprokurorit të ri të shtetit. Është me rëndësi që Këshilli Prokurorial i Kosovës të bëjë një proces të drejtë, transparent, të bazuar në merita, kjo do të përforcojë besimin për kryeprokurorin e ri por edhe në integriteti ne procesi të përzgjedhjes, Ndërmarrja e këtyre e këtyre hapave do të ndërtojë besimin e mëtutjeshëm në sistemin prokurorial”, ka thënë Hovenier.
Në konferencën vjetore të prokurorëve ka folur edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Szunyog: Raporti për Kosovën nuk do të jetë pozitiv nëse nuk respektohen standardet evropiane
“Dëshiroj të jem shumë i qartë që raporti për Kosovën për vitin 2020 prodhuar nga Komisioni Evropian i cili ka të bëjë edhe me reformën e drejtësisë nuk do të jetë pozitiv nëse standardet evropiane nuk përcjelljen dhe nuk respektohen. Për forcim të mëtutjeshëm të sundimit të ligjit dhe për rritje të llogaridhënies, efikasitetit dhe integritetit të institucioneve përkatëse mirëpresim iniciativën e fillimit të punës së komisionit për monitorimin e implementimit të strategjisë së planit të veprimit, ky është një hap i rëndësishëm drejt një qasje të unifikuar për të adresuar sfidat e sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë. Implementimi i strategjisë dje planit të veprimit duhet të bëhet pa vonesë përmes një procesi të rregullt dhe të strukturuar”, ka thënë ai.